Lidhje

Alternativat e perëndimit në Ukrainë

  • Al Pessin

Lëvizjet ushtarake e Rusisë në Ukrainë kanë nxitur kritika nga e gjithë bota, sidomos nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Ekspertët thonë se vendet perëndimore kanë disa alternativa për të ndikuar mbi situatën, por shtojnë se një zgjidhje politike mund të jetë ende e mundshme.

Bashkimi Evropian ka përgatitur një paketë të madhe ndihme për Ukrainë ndërkohë që diplomatë të lartë nga Perëndimi dhe Rusia u mblodhën sot në Paris për të ulur tensionet pas marrjes nën kontrollin ushtarak nga Rusia të gadishullit strategjik të Krimesë.

Perëndimi ka folur për sanksione dhe aktet ruse e kanë vënë në dyshim planin për mbajtjen e takimit të G8-s në Rusi.

Por kjo nuk ka gjasa t’i bëjë përshtypje presidentit rus Vladimir Putin, sipas ekspertit për Rusinë, Keir Giles, i institutit Chatham House të Londrës.

“E kemi parë herë pas here, se kur ndodhin situata të ngjashme, ka vetëm një mesazh dhe vetëm një metodë që funksionon me Rusinë, se është koha për ta ndalur atë dhe për të përdorur të njëjtën lloj force që vetë Rusia përdor.”

Në fakt, presidenti Putin u tregua sfidues gjatë një konference për shtyp që dha dje në Moskë.

“Nëse ne e shohim se trazirat do të fillojnë edhe në rajonet lindore, nëse njerëzit na kërkojnë ndihmë, ne kemi tashmë një kërkesë zyrtare nga presidenti legjitim dhe ne kemi të drejtë të përdorim të gjitha alternativat.”

Por zoti Putin foli edhe rreth nevojës së një kushtetute të re në Ukrainë dhe për atë që ai e quajti “ndryshim të pushtetit”.

Analistët thonë se askush nuk dëshiron luftën në Ukrainë dhe se forcat ruse dhe ukrainase janë përpjekur ta shmangin – duke përfshirë edhe një ballafaqim të martën në Krime mes forcave ukrainase të paarmatosura dhe ushtarëve të mbështetur nga Rusia. Disa ekspertë thonë se qëllimet e presidentit Putin në Ukrainë janë më shumë politike se sa ushtarake, për të parandaluar një lëvizje drejt perëndimit.

Drejtori i Institutit të Rusisë në King’s College të Universitetit të Londrës, Sam Greene thotë se mënyra më e mirë që perëndimi të sigurohet se Rusia nuk do të vazhdojë në këtë drejtim është nëpërmjet trysnisë ekonomike.

“Alternativat më të fuqishme për perëndimin vijnë nëse kuptohet se sa të varur nga vetë perëndimi janë elita ekonomike, mbështetësit e Putinit.”

Rusia ka interesa biznesi në tërë botë dhe Ukraina është vendi ku ndodhet një nga gazsjellësit më të rëndësishëm për Evropën. Megjithatë, disa ekspertë dhe udhëheqës kritikojnë sugjerimet për trysni ekonomike, duke thënë se kjo nuk do të ishte e efektshme dhe se do të dëmtonte perëndimin aq sa do të dëmtonte Rusinë.

Kjo i lë udhëheqësit perëndimorë me disa zgjedhje të vështira, por të paktën, edhe me mundësinë se ajo që duket tani si një sfidë ushtarake do të mund të zgjidhet nëpërmjet kompromisit politik.
XS
SM
MD
LG