Lidhje

Kërkime për parandaliminn e Alzheimerit


Në të ardhmen, kur shkencëtarët të shikojnë prapa në fillimet e këtij shekulli, mund të habiten me atë që u krye në trajtimin dhe parandalimin e sëmundjes Alzheimer. AlzheimerI është forma më e zakonshme e humbjes së kujtesës dhe ka marrë përmasa globale. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se më shumë se 35 milionë njerëz tani jetojnë me humbje kujtese dhe ky numër parashikohet të dyfishohet deri në vitin 2030.

Ndërsa njerëzit jetojnë më gjatë, edhe kërkesat për barna që parandalojnë humbjen e kujtesës shtohen. Sekretarja amerikane e Shëndetësisë, Kathleen Sebelius thotë se përcaktimi i përparësive dhe bashkërendimi i kërkimeve sot, do të kursejë kohën nesër.

"Ne kemi bërë investimin e parë historik të fondeve dhe një angazhim 15 vjeçar në parandalimin dhe trajtimin e Alzheimerit".

Në të kaluarën, Alzheimeri mund të diagnostikohej vetëm duke bërë një autopsi pasi pacienti kishte vdekur.

Studiuesi në fushën e Alzheimerit, Ronald Petersen thotë se metodat e reja tani mund të sigurojnë të dhëna rreth sëmundjes, ndërsa pacienti është ende gjallë.

"Ne përdorim bio-shenjat, analiza të ndryshme me imazhe, analiza e gjaku, analiza të palcës kurrizore të cilat na tregojnë prognozën e sëmundjes."

Në këto imazhe, të ofruara nga Instituti Banner në Phoenix, Arizona, mund të dallohet përparimi i sëmundjes. Brenda trurit të një pacienti të moshuar, zonat e errëta janë formuar nga pllakëza të përbëra nga proteina amyloid, dhe ndërthurrje të përbëra nga një proteinë e quajtur tau. Rezultati është, humbja e qelizave të trurit dhe neuroneve përgjegjëse për kujtesën dhe të mësuarit.

Gjatë një konbference muajin e kaluar rreth kërkimeve në fushën e Alzheimerit, dy studime klinike zgjuan shumë interes. Në një studim, pacientët u trajtuan me insulinë nëpërmjet hundës nga ku ilaçi shkon tek neuronet në tru. Dr Suzanne Craftt e Universitetit Uashington, kryesoi studimin.

"Pothuajse 3/4 e pjesëmarrësve kanë treguar përmirësime të kujtesës deri në 50 për qind gjatë periudhës katër-mujore."

Studimi tjetër premton parandalimin e Alzheimerit. Dy vjet më parë, gazetarja Pam Belluck e Nju Jork Tajmsit dhe një fotograf shkuan në Kolumbi për të vizituar një fis, pjestarët e të cilit vuajnë nga Alzheimeri në fazë fillestare. Përafërsisht 1/3 e tyre kanë një gjen të ndryshuar që shkakton këtë sëmundje ndërsa arrijnë moshën 30-40 vjeçare. Gazetarja Belluck foli me Zërin e Amerikës përmes Skype, duke thënë se pjestarët e këtij fisi ndihmojnë njëri tjetrin

"Ata ndihmohen të shkojnë në shtrat, të ushqehen, të vishen, të lahen. Ata janë acaruar nga kjo sëmundje."

Në fillim të vitit të ardhshëm, një ekip shkencëtarësh amerikanë dhe mjekë kolumbianë do të fillojnë një studim pesë-vjeçar për të vëzhguar klinikisht më shumë se 3000 anëtarët e këtij fisi. Jo të gjithë pacientët mbajnë shënues gjenetik dhe disa do të marrin një ilaç qetësues. Kreu i ekipit amerikan, Dr Eric Reiman, thotë se vaksina që po provohet klinikisht ka për qëllim t'a pastrojë trurin nga amyloidet.

"Nëse do të ndërhyjmë para se sëmundja të ketë rrënuar trurin, ne mendojmë se këto trajtime mund të kenë një efekt të thellë pozitiv."

Gazetarja Pam Belluck thotë se fisi kolumbian pret me padurim që dikush t'i ndihmojë. Duke pasur përpara një të ardhme të zymtë, shumë prej tyre thonë se janë të gatshëm të bëhen pjesë e studimit, në qoftë se kjo do t'i ndihmojë ata dhe brezat e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG