Lidhje

Alzajmeri, shkaktari i gjashtë i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara

  • Vidushi Sinha

Alzajmeri, shkaktari i gjashtë i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara

Alzajmeri, shkaktari i gjashtë i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara

Sëmundja e Alzajmeri prek mbi 35 milion njërëz në mbarë botën, duke ua shlyer atyre kujtesën dhe, pas një kohe, duke i dhënë fund jetës së tyre. Alcajmeri është shkaktari i gjashtë i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Në një studim të botuar rishtazi, ekspertët bëjnë rekomandime të reja për diagnostikimin e hershëm të sëmundjes. Ata thonë gjithashtu se kërkohet shpikja e barnave të reja për mënjanimin e Alzajmerit.

Dominik Betit nuk i pëlqen të varet nga gruaja e tij për gjithçka. Ai vuan nga sëmundja e Alzajmerit, që e ka bërë atë të paaftë.

“Deri diku e kuptoj se mendja ime po e humbet mprehtësinë. Problemi është se tani duhet që gjithë njerëzit rreth meje të merren me mua dhe kjo më lëndon.”

Shenja e parë e Alzajmerit është humbja e kujtesës. Ata që preken më rëndë nuk mbajnë mend as njerëzit më të afërt, nuk mund të flasin, të ecin e madje as të buzëqeshin. Sot, ilaçet më të mira luftojnë vetëm simptomat e sëmundjes.

Ekspertët thonë se diagnostikimi i hershëm lehtëson kontrollin e simptomave dhe kujdesin ndaj të prekurve. Sipas tyre, diagnostikimi i hershëm është i rëndësishëm që procedurat dhe trajtimi të jenë më të efektshme.

Skanimet e thjeshta të trurit dhe analizat e gjakut mund të përdoren për të diktuar Alzajmerin shumë kohë para se të paraqiten simptomat fizike. Analizat janë pjesë e udhëzimeve të reja të botuara këtë javë në revistën shkencore Lancet.

Dr. Ted Rotstajn, neurolog në Qendrën Klinike Universitare “Xhorxh Uashington”, thotë se analizat e gjakut mund të zbulojnë grumbullimin e proteinave jonormale që shkaktojnë mpiksjen e gjakut në tru.

“Ato formojnë një lloj nyje në tru që pengon funksionimin normal të proteinave. Mund të matet niveli i proteinës Tau si në gjak ashtu edhe në palcën kurrizore, që është më i lartë tek pacientët me Alzajmer në krahasim me të tjerët.”

Kjo epidemi në rritje dhe me kosto të lartë ende nuk ka një kurë shërimi.

Organizata Ndërkombëtare për Sëmundjen e Alzajmerit dëshmon në raportin e saj të fundit se kujdesi për pacientët e prekur do të kushtojë deri në 604 miliard dollarë këtë vit. Këto shpenzime priten të rriten, ndërkohë që numri i të prekurve do të trefishohet deri në vitin 2050.

“Deri më sot nuk kemi gjetur ndonjë kurë që të parandalojë shtrirjen e sëmundjes. Trajtimet që mund të kryhen kanë efekte të vogla përsa u përket simptomave si humbja e kujtesës ose pengesat e tjera. Përfundimisht, sëmundja te këta pacientë përkeqësohet, ata vazhdojnë të humbasin kujtesën, veprimtarinë e përditshme dhe brenda pesë vjetëve shumë prej tyre përfundojnë në shtëpi për të moshuarit.”

Pesë përqind e pacientëve me Alzajmer trashëgojnë këtë gjendje përmes një gjeni në familjen e tyre. Por për shumicën e të tjerëve, mosha është faktori kryesor. Pas moshës 65 vjeçare, gjasat për t’u prekur nga sëmundja dyfishohen çdo pesë vjet dhe në moshën 85 vjeçare, arrijnë në 50 përqind.

Studiuesit bëjnë thirrje që vendet e ndryshme të investojnë më shumë për gjetjen e një kure. Përndryshe, thonë ata, kostoja e kujdesit ndaj pacientëve me Alzajmer do të arrijë në shkallë krize.

XS
SM
MD
LG