Lidhje

Haley: SHBA, të përkushtuara për bashkëpunim me europianët


Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me aleatët europianë, megjithë disa mosmarrëveshje rastësore.

“Në fund të ditës, askush nuk duhet t’i keqinterpretojë mosmarrëveshjet e rastësishme për politikat dhe debatet tona si sinjal për asgjë më tepër, se sa përkushtimin tonë të plotë ndaj aleancave tona në Europë. Ky përkushtim është i fuqishëm”, - tha ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara në fjalën e saj në Këshillin e Sigurimit.

Ambasadorja Haley, po ashtu e cilësoi NATO-n si “aleaten më të fortë në histori” dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara janë duke u përpjekur për ta bërë organizatën “edhe më të efektshme”.

Komentet e zonjës Haley janë jehonë e komenteve të nënpresidentit Mike Pence të hënën në Bruksel, kur ai i tha Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj aleatëve të tyre në NATO, por se edhe vendet e tjera duhet të ndajnë barabar kontributin financiar për mbrojtjen.

Ambasadorja Haley tha se ajo beson që Shtetet e Bashkuara mund të kenë një marrëdhënie më të mirë me Rusinë, por bashkëpunimi më i mirë me Moskën, sipas saj, nuk mund të realizohet në kurriz të miqve dhe aleatëve europianë.

“Kjo është arsyeja përse ne i bëjmë thirrje Rusisë të tregojë përkushtim ndaj paqes, duke zbatuar plotësisht premtimet e saj në marrëveshjen e Minskut, për t’i dhënë fund pushtimit të Krimesë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbeten të bashkuara në qëndrimin e tyre, duke i mbajtur në fuqi sanskionet, derisa Moska të respektojë plotësisht marrëveshjen e Minskut,”- tha ambasadorja Haley.

Në Marrëveshjen e Minskut të vitit 2015, Ukraina, Rusia dhe separatistët me mbështetjen e Rusisë ranë dakord t’i japin fund krizës në Ukrainë, duke filluar me tërheqjen e armatimeve të rënda.

XS
SM
MD
LG