Lidhje

Çështja e ambasadës në Uashington, Panariti: u ankova për fondet


Ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha sot se ka ngritur shqetësimin për shkurtimet e buxhetit për diplomacinë si në qeveri ashtu dhe në parlament duke garantuar se “aktiviteti normal i ambasadave nuk do cënohet".

Në Shqipëri ministri i Jashtëm Edmond Panariti tha sot se buxheti për diplomacinë është reduktuar si pasojë e efekteve të krizës ekonomike dhe se ai vetë e ka ngritur këtë shqetësim prej kohesh. Zoti Panariti i bëri këto komente pas publikimit të një letre të ambasadorit të Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi, drejtuar për dijeni dhe autoriteteve të vendit, përmes së cilës ai shprehej se fondet ne dispozicion e bënin të pamundur aktivitetin e ambasadës. Ministri Panariti u shpreh nga ana e tij se pavarësisht vështirësive financiare, funksionimi normal i ambasadave do të garantohet


Letra që ambasadori shqiptar në Uashington i dërgonte eprorëve të tij në ministrinë e Jashtme në Tiranë e për dijeni dhe krerëve të shtetit ishte një pasqyrë e zymtë e gjendjes financiare në të cilën vepron sot diplomacia shqiptare: mungesë fondesh për garantimin qoftë edhe të veprimtarisë më minimale të një përfaqësie diplomatike, një ambassador që detyrohet t’i japë vetë makinës e që në selinë ndoshta më të rëndësishme për vendin, nuk ka as edhe një pastruese. Frazat e ambasadorit Galanxhi në fund të letrës, se do të ishte më mirë që ai të autorizohej të mos dilte nga residenza, sepse nuk kishte asnjë mundësi financiare të përmbushë detyrën, tregon më së miri gjendjen dëshpëruese të përfaqësisë diplomatike në Shba, që mund të ketë të ngjashme edhe në vendet e tjera. Shqipëria ka 55 përfaqësi diplomatike në të gjithë botën.

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti deklaroi sot se e ka ngritur problemin e situatës së vështrë financiare duke lënë të kuptohet qartë se gjendja e krijuar nuk ka qenë në dorë të tij e se për këtë zgjidhja duhet të jetë ndërinstitucionale: “Shqetësimet për pamundësi të buxhetit, unë i kam bërë prezente prej kohësh në Komisionin e Jashtëm, në Qeveri, në Ministrinë e Financave. Padyshim që në Komisionin e Jashtëm kam pasur përkrahjen e të dy kaheve politike, qoftë pozitës, qoftë opoztës në raport me kërkesat e mia. Këto çështje kërkojnë një zgjidhje ndërinstitucionale. Buxheti është transparent, është publik ju mund të konsultoni në çdo kohë fondet që i alokohen ministrisë, për çështjet e mbulimit të shërbimit diplomatik. Ne jemi të hapur, kështu që nuk kemi asgjë për të fshehur”.

Ministri Panariti tha se ashtu si dhe në shumë vende të tjera të botës, edhe në Shqipëri për shkak të krizës, buxheti për diplomacinë është reduktuar. Megjithatë ai tha se nuk ka vend për panik: “Më lejoni që t’ju siguroj se, Ministria e Jashtme, përpos buxhetit të saj të kufizuar, për arsyet që përmenda pak më përpara, do garantojë funksionimin normal të ambasadave dhe shërmbimin diplomatik në të gjithë vendet ku ajo përfaqësohet, natyrisht, duke pasur më përparësi qëndrat tona kryesore në SHBA, në Bruksel në Kombet e Bashkuara”.

Ministri nuk shpjegoi se si do të gjendet zgjidhja, dhe pse qeveria shqiptare nga ana tjetër, nuk është kursyer, pavarësisht krizës, që të lidhë, sic kanë bërë publike mediat, kontrata disa qindra mijëra dollarëshe për kompani lobimi po në Shtetet e Bashkuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG