Lidhje

Ambasadori Arvizu thotë se mbërriti ekspertimi i provave të 21 janarit nga FBI


Ambasadori Arvizu thotë se mbërriti ekspertimi i provave të 21 janarit nga FBI
Ambasadori Arvizu thotë se mbërriti ekspertimi i provave të 21 janarit nga FBI

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu konfirmoi dje njoftimet se Byroja Federale e Hetimeve ka sjellë në Shqipëri rezultatet laboratorike mbi materialet e 21 janarit, ku humbën jetën 4 qytetarë dhe u plagosën shumë të tjerë civilë dhe ushtarakë. Ambasadori Arvizu bëri të ditur se me studimin e objekteve të 21 janarit ka punuar laboratori i FBI-së në Uashington.

“Edhe më parë prokurorët kanë marrë përgjigje për kërkesat e tyre, ndërsa aktualisht është sjellë në Tiranë pjesa më e madhe dhe më domethënëse e hetimeve të FBI-së, që kanë të bëjnë me fakte balistike dhe ligjore” – tha ai gjatë një bisede në televizionin Top Channel.

Ambasadori Arvizu tha se ky është një bashkëpunim ndërshtetëror hetimi dhe besonte se provat do të pranoheshin nga palët. Ai tha se SHBA ka mbështetur prokoruroren e përgjithshme në hetimin e 21 janarit, me besimin se do të realizoheshin 3 elementë; një hetim i pavarur, i plotë dhe pa ndikime partiake.

Ambasadori amerikan tha se njerëzit janë të zhgënjyer nga tejzgjatja e hetimit, ndonëse prokurorja e përgjithshme ka dhënë garanci se përfundimi hetimeve do të jetë gjithëpërfshirës sa u takon palëve pjesëmarrëse në ato ngjarje.

“Qeveria është shprehur e zhgënjyer se hetimi mbi organizatorët nuk ka bërë përparim, megjithatë ka mbetur e gatshme që të bashkëpunojnë me hetimin” – tha ambasadori amerikan – i cili theksoi se “ky është një hetim shqiptar dhe SHBA po jep ndihmë teknike-ligjore. Prokurorët shqiptarë kanë zhvilluar dosjen dhe kanë mbledhur faktet, nuk ka asgjë të veçantë të prodhuar nga ana amerikane që shqiptarët nuk e kanë patur”.

Ambasadori amerikan Arvizu tha se disa persona në Shqipëri janë përpjekur që të përfitojnë politikisht nga vdekjet e 21 janarit, por nga ana tjetër duhet hetuar edhe fakti që një ose disa persona urdhëruan Gardën për të qëlluar; të gjitha do të dalin në një hetim gjithpërfshirës. Ambasadori Arvizu shprehu besimin e tij se qysh nga marrëveshja PD-PS e muajit nëntor ka patur ndryshime politike, dialog të qytetëruar, hapa konkrete dhe bashkëpunim thelbësor dhe komisione për reforma. Ai tha se “demokracia shqiptare nuk ka bërë hapa prapa, por përparimi është ngadalësuar në mënyrë dramatike”.

XS
SM
MD
LG