Lidhje

Ambasadori amerikan kritikon mediat në Kosovë për nxjerrje të mesazheve – mediat reagojnë


Ambasadori amerikan kritikon mediat në Kosovë për nxjerrje të mesazheve – mediat reagojnë
Ambasadori amerikan kritikon mediat në Kosovë për nxjerrje të mesazheve – mediat reagojnë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Christopher Dell, kritikoi disa media lokale sepse kanë publikuar pjesë nga komunikimet e tij private gjatë votimit të së martës në Parlamentin e Kosovës për presidentin e vendit. Mediat botuan fotografi të telefonave celular ku shihej shkëmbimi i porosive ndërmjet kandidatit për president të Kosovës, Behxhet Pacolli dhe këshilltarit të tij Essad Puskar, i cili i transmetonte shefit të tij këshillat nga ambasadori Dell.

Në një letër të hapur drejtuar Komisionit të Pavarur për Media, ambasadori Dell e quan veprimin e gazetave Koha Ditore dhe Ekspress si dhe të televizionit KTV, joprofesional, jo etik e madje të paligjshëm. Ai thotë se ky veprim i medias ishte përpjekje rutinë për të mbledhur informacion në një mjedis të paqartë. Në letrën e tij, Ambasadori Dell shkruan se ashtu siç u ka bërë thirrje politikanëve të përqafojnë standardet më të larta të qeverisjes transparente dhe të pastër, ashtu u kërkon edhe gazetarëve të respektojnë të njëjtat standarde dhe sjellje profesionale për të cilat ata ranë dakord kur nënshkruan Kodin e Sjelljes.

Ambasadori Dell thotë në letrën e tij se publiku, lexuesit dhe dëgjuesit meritojnë t’u kërkohet falje nga këto media, të cilat sipas tij, kanë shkelur besimin e publikut. Ai thekson se kodet e mirësjelljes janë thyer nga mediat sjellja e të cilave, sipas tij, është e pafalshme. Kjo sjellje po ashtu mund të ketë qenë edhe e paligjshme, pasi që Kodi penal i Kosovës ndalon përgjimin e paautorizuar të bisedave dhe deklaratave personale, thuhet në reagimin e zotit Dell, I cili shprehet i dekurajuar që përkundër mbështetjes së fuqishme dhe investimeve të konsiderueshme të qeverisë amerikane për më shumë se dhjetë vjet, disa prej medieve më të popullarizuara ende nuk e kanë arritur as edhe nivelin më të ultë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë profesionale që korrespondojnë me pozicionin e përgjegjësisë publike që ata ushtrojnë.

Ndaj këtij qëndrimi të ambasadorit Dell ka reaguar kompania Koha, pronë e familjes së publicistit të njohur Veton Surroi. Në reagim thuhet se qasja e gazetës Koha Ditore dhe KTV ka qenë absolutisht etike dhe profesionale, pra për pasojë edhe e ligjshme. Kodi etik e ndalon ndërhyrjen në çështjen e thjeshtë private apo personale, por mediat kanë vlerësuar se zgjedhja e institucioneve të Kosovës dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në proces me anë të porosive që rrjedhin nga telefonat dhe komunikimet private, megjithatë, janë në interes të përgjithshëm.

Për më tepër, thuhet në reagim, e tëra ka ndodhur në mjediset e sallës së Parlamentit të Kosovës dhe jo në një mjedis privat, ndërsa shkëmbimi i porosive u bë në kohën e votimit për president të Republikës dhe jo në kohë të ndonjë ahengu familjar, ku privatësia do të mund të konsiderohej mbrojtje. Duke u mbështetur në misionin për informimin e drejtë të opinionit publik, mediat kanë pasur për obligim që me këtë të njoftojnë publikun, sepse në të kundërtën do të fshihnin informata shumë të rëndësishme, e kjo do të ishte barazi me mashtrimin, apo gënjimin e publikut.

Kompania Koha thekson se qëllimi i investimeve amerikane në mediumet elektronike private ka qenë vendosja e lirisë së shprehjes e profesionalizmi dhe mbi të gjitha pavarësia editoriale. Kjo është një dhuratë shumë e çmueshme që Kosovës i është dhënë nga populli amerikan – që të ketë edhe mediume të lira dhe absolutisht të pavarura, pavarësinë që Grupi KOHA do ta ruajë përkundër të gjitha rrethanave dhe trysnive, në qofshin ato edhe mëtime për t’u kontrolluar nga përfaqësuesi i shtetit amerikan. Ngase këtë ia kemi borxh shoqërisë kosovare, thuhet në reagimin ndaj ambasadorit amerikan.

Ndërkohë, në një reagim të lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar nga ambasadori Dell të tregojë publikisht se çfarë ndodhi gjatë votimeve në Parlament. Në porositë e botuara në gazeta shihej qartë se edhe ai ishte i përfshirë në këtë inxhiniering zgjedhor të presidentit. Dhe ia ka borxh qytetarëve të Kosovës të tregojë se çfarë e shtyu atë të marrë pjesë në këtë proces kaq jodemokratik dhe jopolitik, thuhet në reagim në të cilin nënvizohet se zgjedhja e institucioneve nuk është çështje private e askujt.

Të martën, Parlamenti i Kosovës votoi në një mjedis të tensionuar për institucionet e dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Votimet u bojkotuan nga opozitës e cila tha se është shkelur kushtetuta e Kosovës duke paralajmëruar mundësinë që të kërkojnë një opinion të Gjykatës Kushtetuese.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG