Lidhje

Ambasadori Dell: Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtën të votojnë

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Ambasadori Dell: Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtën të votojnë

Ambasadori Dell: Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtën të votojnë

Në Prishtinë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara Kristopher Dell, tha sot se të gjithë qytetarët kanë të drejtë të marrin pjesë në votime dhe se prania ndërkombëtare po bën përpjekje për të siguruar pjesëmarrjen në votime edhe të qytetarëve në veriun e banuar me shumicë serbe. Ai i bëri këto komente në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit në Kosovë, në të cilat mbetet pikëpyetje nëse do të marrin pjesë edhe votuesit serbë në veri.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristopher Dell tha sot se mekanizmat ndërkombëtarë po punojnë ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të siguruar kushte për pjesëmarrjen në votime të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe ata në veriun e banuar me shumicë serbe. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Komisionin Zgjedhor për Ankesa duke shprehur bindjen se këto zgjedhje do të përshkohen më me pak probleme sesa në të kaluarën. Ai beson se do të krijohen mundësi që në zgjedhje të marrin pjesë edhe pjesëtarët e komunitetit serb në veriun e Kosovës.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të drejtën për të hedhur votën e tyre. Disa mund të zgjedhin të mos e bëjnë një gjë të tillë, por të gjitha duhet të kenë mundësi të barabarta për të zgjedhur udhëheqësit e tyre”, tha ambasadori Dell, duke komentuar njoftimet se strukturat e mbështetura nga Beogradi në veri do të pengojnë pjesëmarrjen e serbëve në to.

Përfaqësuesit e serbëve në veri kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovën tetë subjekte politike nga radhët e komunitetit serb janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje. Organizimi i këtyre zgjedhjeve në një kohë të shkurtër ka nxitur shqetësime për rrjedhën e tyre, por ambasadori Dell tha sot se po bëhen përpjekje të mira për të siguruar një proces demokratik. Në këtë kuadër ai e vlerësoi me rëndësi punën e Komisionit për Ankesa.

“Ka një fjalë në Shtetet e Bashkuara që thotë se drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar, prandaj është me rëndësi që të ketë një komision të përgjegjshëm e të fortë që do të gjykojë çështjet që mund të ngrihen gjatë zgjedhjeve”, tha ambasadori Dell i bindur se nuk do të përsëriten paqartësitë e së kaluarës.

Në Kosovë sot po zhvillohet dita e dytë e fushatës dhjetëditëshe për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit në të cilat 29 parti politike me rreth 1 mijë e 300 kandidat konkurrojnë për t’u përfshirë në parlamentin 120 vendesh.

XS
SM
MD
LG