Lidhje

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington në takim me studentë në Universitetin Amerikan


Shkencat politike janë ndër kurset më të ndjekura në shkollat e larta amerikane. Në këtë kuadër, Shkolla e Shërbimit Ndërkombëtar (SIS) në Universitetin Amerikan në Uashington është e angazhuar për një qasje të gjerë dhe ndër-disiplinore në studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Jo rrallë studiues e diplomatë të huaj janë të ftuar nga kjo shkollë për t'u shpjeguar studentëve çështje të ndryshme.


Këto ditë, mik i studentëve të Universitetit Amerikan ishte ambasadori i Shqipërisë në Uashington, zoti Gilbert Galanxhi. Ambasador Galanxhi bëri të njohur para një audience studentore, rolin dhe ndikimin e Shqipërisë në qëndrueshmërinë e Ballkanit dhe përpjekjet e vendit për integrim në Bashkimin Evropian.


Të pranishëm ndodheshin studentë, të diplomuar e profesorë të shkencave politike. Për ambasador Galanxhin ky takim është edhe një prej veprimtarive të koordinuara kulturore që ambasada në Shtetet e Bashkuara po kryen me rastin e 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Zoti Galanxhi u tha të rinjëve amerikanë studentë se rëndësia e rolit që Shqipëria luan për qendrueshmërinë rajonale, është ajo e marrëdhënieve të mira me vendet që e rrethojnë dhe më gjërë në Ballkan. Ambasadori tha se për shkak të rrethanave historike, shqiptarë ndodhen sot kudo në vendet fqinje, gjë që i bën ata vërtet faktor të rëndësishëm në qendrueshmërinë rajonale. Gjithashtu, synimi i përbashkët i vendeve të rajonit për antarësim në Bashkimin Evropian i bën të gjitha këto vende njësoj më të përgjegjshëm për fqinjësi të mirë.

Ambasador Gilbert Galanxhi u shpjegoi studentëve në vija të përgjithëshme zhvillimet në Shqipëri - u foli për kulturën, bukuritë natyrore, klimën e mirë të biznesit, veçoritë mikëpritëse të njerëzve dhe se të gjitha të ndërthurura e bëjnë vendin joshës për vizitorin e huaj.

Ambasador Galanxhi, diplomat kariere, është relativisht i ri në postin e tij në Uashington. I ardhur në këtë detyrë rreth 1 vit më parë, ai thotë se dinamika e diplomacisë në Uashington është ndryshe nga ajo në vendet e tjera ku ai ka shërbyer. Por për një ambasadë si e Shqipërisë në një vend si Amerika - me numër të konsiderueshëm e të larmishëm emigrantësh shqiptarë - puna e personelit përmban sfida që diplomatët shqiptarë në Uashington përpiqen t'u përgjigjen.

Në Universitetin Amerikan ndjekin studimet edhe disa studentë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Takimi me ambasadorin e Shqipërisë ishte nismë e këtij grupi studentësh nga Ballkani në këtë universitet të njohur. Në universitetin Amerikan në Uashington ndjekin studime të rinj e të reja edhe nga rreth 100 vende të botës.

XS
SM
MD
LG