Lidhje

Ambasadori europian Sequi komentoi progres-raportin


Sequi: "Pika më e rëndësishme është bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirja, që Shqipëria të përparojë drejt BE-së".

Lajmi se Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat sepse ka përmbushur kushtet u prit me entuziazëm të përmbajtur në Tiranë, sepse u numëruan ende detyra për t'u arritur në vazhdimësi. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Etore Sekui, ia dorëzoi raportin e progresit me radhë zyrtarëve më të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare; presidentit Bujar Nishani, kryetarit të parlamentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke theksuar vazhdimisht se pika më e rëndësishme është bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirja, që Shqipëria të përparojë drejt BE-së. “Eshtë e rëndësishme që angazhimi për reformat kryesore të vazhdojë - tha ambasadori Sequi gjatë një konference shtypi në mbrëmje - si forcimi i shtetit ligjor, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimi i sistemit gjyqësor, të drejtat njerëzore, administrata publike”.

“Shqipëria duhet të përqëndrohet në këto tema thelbësore, të kryejë reformat e nevojshme me angazhim dhe përkushtim - tha ambasadori Sequi - të ecë drejt integrimit europian me frymë gjithëpërfshirje dhe konsensusi. Deri në dhjetor duhen shtuar arritjet, në veçanti në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Statusi i vendit kandidat dhe më pas çelja e negociatave për anëtarësim kërkojmë bashkëpunim mes palëve. Ecja e Shqipërisë drejt BE-së nuk do të jetë e mundur pa bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës, dhe gjithëpërfshirja duhet të jetë një element i përhershëm i politikës shqiptare” - tha ambasadori Sequi.

Kryeministri Edi Rama tha se Raporti i progresit është një pasqyrë besnike për mangësitë, dobësitë, problemet për t’u zgjidhur që e mbajnë Shqipërinë ende larg Bashkimit Evropian. “Ndryshe nga qeveria e mëparshme, ne as gjejmë sot rastin për t’u vetëlëvduar dhe as do të na dëgjoni sot apo mot të shajmë opozitën për ta ndarë popullin në të mirë e në të këqinj. Shkurt, ne jemi të inkurajuar sot nga propozimi i Komisionit Evropian dhe çdo shqiptar pa dallim duhet të ndihet i inkurajuar”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se progres-raporti i Bashkimit Europian është një fotografim realist i përparimit të Shqipërisë dhe reformave të arritura në qeverisjen e Partisë Demokratike. Ai tha se opozita do të japë mbështetjen e vet për integrimin europian, ndërsa qeveria e re socialiste ka përpara dy detyra, shtetine të drejtës dhe dialogun politik. “Sot është një ditë e gëzuar për mbarë qytetarët shqiptarë, që mbështesin prej vitesh, në mënyrë konstante dhe pothuajse unanime integrimin e vendit në Europë. Ne ketë ngjarje është e ftuar të gëzojë edhe qeveria aktuale, pavarësisht se nuk i bëri detyrat e saj kur ishte koha. Nuk ka sens që Kryeministri të bëje sot modestin qe nuk gezon, kur nuk ka akoma punë për të treguar” - tha zoti Basha.

Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë hapa apo veprime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën në administratë, në shtetine të drejtës dhe të drejtat njerëzore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG