Lidhje

Tre amerikanë të liruar mbërrijnë në Gjermani


Një avion me disa amerikanë të liruar nga Irani në kuadër të një këmbimi të burgosurish me Iranin, mbërriti në Gjermani pasi u nis nga Teherani sot në mëngjes.

Tre shtetasit amerikanë do të marrin shërbim shëndetësor në Gjermani në një spital ushtarak amerikan. Ata patën një ndalesë në Gjenevë të Zvicrës, para se të niseshin për në Gjermani.

Mes tyre ishte gazetari i “Washington Post”, Jason Rezaian, ish-marinsi amerikan Amir Mirzaei Hekmati dhe prifti Saeed Abedini. Rezaian shoqërohej nga e shoqja, gazetarja Yeganeh Salehi dhe e ëma.

Duke cituar burime të paidentifikuara amerikane, agjencia Reuters njoftoi se një amerikan i katërt i liruar, Nosratollah Khosravi-Roodsari, nuk ishte në avionin që u nis nga Teherani.

Në një deklaratë të mëparshme, Departamenti i Shtetit tha se "ata që donin të iknin nga Irani, janë nisur”. Edhe një student amerikan u lirua më pas, duke e çuar në pesë numrin e amerikanëve të liruar.

Lirimi i katër amerikanëve u deklarua dje pak para se diplomatët në Vjenë të njoftonin zbatimin e një marrëveshjeje bërthamore mes fuqive perëndimore dhe Iranit.

XS
SM
MD
LG