Lidhje

Amerikanët në ndihmë të viktimave të tajfunit


Organizatat e ndihmave humanitare thonë se amerikanët po reagojnë me zemërgjerësi ndaj thirrjeve për të ndihmuar viktimat e tajfunit në Filipine. Nevojat janë aq të mëdha, sa që do duhet shumë më tepër për të kapëcyer situatën.

Amerikanët i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar filipinasit që mbijetuan në mes të shkatërrimit që la pas tajfuni Haiyan.

Një nga personat që u mobilizua është emigrantja filipinase Teresa Descalzota, e cila ka pesë motra e vëllezër të prekur nga pasojat e tajfunit në provincën e goditur rëndë Iloilo. Ajo u intervistua dje nga Zëri i Amerikës në një kishë në Uashington, ku shumë të tjerë si Tereza po grumbullonin ushqim, veshje dhe këpucë për t’ua dërguar viktimave.

"Numri i personave të pastrehë e të uritur është kolosal, veçanërisht për banorët që jetojnë në zona bregdetare. Komunitetet e tyre janë rrafshuar. Ata kanë humbur gjithçka. Prandaj po bëjmë thirrje për ndihmë”.

Megjithëse ende nuk është llogaritur sasia e mallit të dhuruar, zonja Descalzota thotë se dhurimet janë mbresë-lënëse.

Deri të premten, 20 vende kishin dërguar ndihma për Filipinet me një vlerë totale prej 159 milionë dollarësh. Australia kryeson në listë me 28 milionë dollarë deri tani. Shtetet e Bashkuara janë të tretat në këtë listë, me zotimin për të dhuruar mbi 22 milionë dollarë.

Ekspertët thonë se dhurimet në rrugë private nga amerikanët do të jenë më të lartat të grumbulluara ndonjëherë për një katastrofë ndërkombëtare. Një raport parashikon një shumë totale prej 1 miliard dollarësh.

Shoqatat bamirëse thonë se po marrin ushqime, por sasia e grumbulluar përfundon shpejt. Ata bëjnë thirrje për vazhdimin e donacioneve pasi nevojat do të vazhdojnë për një periudhë të gjatë.

Ndërkaq, Teresa Descalzota shpreh mirënjohje për ndihmat që kanë ofruar fqinjët e saj:

"E di që Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sasi shumë të mëdha ndihmash. I falenderoj të gjithë. Zoti e bekoftë Amerikën dhe Filipinet”.

Tajfuni ka shkaktuar vdekjen e mbi 3600 vetëve. Kombet e Bashkuara përllogarisin se afro 2 milionë vetë janë detyruar të zhvendosen si pasojë e kësaj katastrofe natyrore.
XS
SM
MD
LG