Lidhje

Amerika kujton viktimat e 11 shtatorit 2001

  • Zëri Amerikës

Amerika kujton viktimat e 11 shtatorit 2001

Amerika kujton viktimat e 11 shtatorit 2001

Pjesa më e madhe e shërbesave përkujtimore dje në Nju Jork kaluan me heshtje dhe meditim, ndërsa amerikanët kujtuan rreth 3000 viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Në ceremonitë e zhvilluara gjatë gjithë ditës morrën pjesë personalitete dhe pjesëtarë të familjeve të viktimave. Ata ishin të parët që vizituan teritorin prej 6.5 hektarësh ku dikur ngriheshin kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.

Vendin e mbuloi heshtja kur lexoheshi një nga një emrat e atyre që vdiqën në sulmet e 11 shtatorit.

Me shirita blu në veshjen e tyre për nder të viktimave, shumë nga ata që lexonin emrat e baballarëve, nënave dhe pjestarëve të tjerë të familjes, i mbanin me vështirësi lotët. Shumë shikonin drejt qiellit, me fytyrat e përkëdhelura nga dielli i mëngjesit, duke kujtuar qiellin e ndritshëm blu të asaj dite të tmerrshme 10 vjet më parë.

Të panishmit ishin po aq të prekur dhe fshinin lotët e mbështeteshin tek njerëzit e tyre të familjes dhe miqtë. Anëtarët e familjeve të viktimave thanë se ndjenë qetësinë e pemëve dhe ujvarave aty ku dikur ngriheshin kullat binjake.

Momentet e heshtjes, nga më të rëndësishmet e ditës ishin po aq funebre, përfshirë edhe ato të kohës kur avionët u përplasën në kullën veriore dhe atë jugore.

Kur roja e nderit hapi hyrjen e Piacës Përkujtimore për familjet, shumë njerëz, duke shprehur respektin për të dashurit e tyre prekën emrat e gdhendur në muret e errëta prej bronxi të të rënëve.

Disa nga të panishmit vendosën flamurë, fotografi të viktimave, lule dhe sende të tjera kujtimi në memorial. Një nga zjarrfikësit vuri kapelen e tij në shenjë kujtimi për qindra zjarrfikësit që humbën jetën në përpjekje për të shpëtuar të tjerët që ishin bllokuar në ndërtesa. Të tjerë ishin mbështetur në memorial, duke mbuluar fytyrat me duar për të kujtuar të dashurit sa më privatisht që të ishte e mundur.

Shërbesa përfundoi me tingujt e trumpetave të policisë së Nju Jorkut, të zjarrfiksave, të autoritetit të portit dhe të ushtrisë amerikane. Ndër artistët pjesëmarrës ishin vjolonçelisti Jo-Jo Ma, si dhe këngëtarët dhe kompozitorët Xhejms Tejlor dhe Pol Sajmon.

XS
SM
MD
LG