Lidhje

Amerikanët çmojnë trashëgiminë e Presidentit Ronald Regan


Amerikanët çmojnë trashëgiminë e Presidentit Ronald Regan
Amerikanët çmojnë trashëgiminë e Presidentit Ronald Regan

Amerikanët po festojnë këtë muaj 100 vjetorin e lindjes së ish presidentit Ronald Reagan dhe po reflektojnë ndaj trashëgimisë së tij në politikë. Zoti Reagan shërbeu në postin e presidentit në periudhën 1981-1989. Ai vdiq në vitin 2004. Anketat e opinionit tregojnë se Ronald Reagan vazhdon të jetë popullor edhe sot, madje është një prej arsyeve kryesore që shumë republikanëve dhe disa demokratëve u pëlqen të përmendin emrin e tij në debate aktuale politike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhim Malloun sjell më shumë hollësi.

Trashëgimia politike e Ronald Reaganit vazhdon të jetë e fuqishme, veçanërisht për republikanët, që shqyrtojnë mundësinë e kandidimit për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.

Kur zoti Reagan u zgjodh president në vitin 1980, konservatorët iu referuan kësaj fitoreje si Revolucioni Reagan, që nënkuptonte një qeveri më të vogël, ulja e taksash dhe rikthimi i krenarisë së Amerikës në botë.

Kur u largua nga detyra në janar të vitit 1989, Presidenti Reagan e përmendi këtë në fjalimin e lamtumirës, që mbajti nga zyra ovale.

"Fitorja ime u quajt ‘Revolucioni Reagan’, dhe unë e pranoj këtë. Por për mua ka qënë gjithnjë si një zbulim i madh, një rizbulim i vlerave dhe llogjikës sonë".

Sot, zoti Reagan mbetet një ikonë për shumë republikanë në arenën kombëtare, përfshirë edhe disa që mund të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ish guvernatorja e Alaskës, Sarah Palin mbajti fjalimin kryesor në një ceremoni për nder të zotit Reagan, organizuar nga Fondacioni i të Rinjve të Amerikës.

"Ndoshta e konsideroj veten një konservatore perëndimore në frymën e Ronald Reaganit, në atë lloj tradite, sepse ai e kuptonte frymën novatore të qyteteve të vogla, vlerat e punës së madhe, individualizmin e paepur dhe dashurinë për fqinjin".

Por nuk janë vetëm republikanët që duan të përmendin emrin e presidentit të 40-të amerikan. Presidenti Obama i referohet herë-herë Ronald Reaganit dhe trashëgimisë së tij, madje bëri këto komente gjatë fushatës së vitit 2008.

"Unë mendoj se Ronald Reagani ndryshoi trajektoren e Amerikës në një formë që nuk e bënë as Richard Nixoni dhe as Bill Clintoni. Ai inkurajoi atë që njerzit ndjenin dhe që kërkonin: qartësi dhe optimizëm".

Gjatë fushatës së vitit të kaluar për zgjedhjet në Kongres, dhjetra kandidatë republikanë iu referuan Ronald Reaganit dhe u zotuan të mbajnë gjallë trashëgiminë e tij politike për një qeveri më të vogël dhe për rikthimin e krenarisë së Amerikës.

Pritet që edhe republikanët, të cilët do të kandidojnë për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, do të përmendin shpesh emrin e zotit Reagan dhe do të përpiqen ta portretizojnë veten si udhëheqës konservatorë të modelit Reagan, të gatshëm të mos heqin dorë nga parimet themelore.

Historianët vënë në dukje disa kontradikta të trashëgimisë politike të ish presidentit Reagan. Megjithëse uli përqindjen e shkallës së taksimit, presidenti Reagan miratoi disa ngritje taksash, madje ai lejoi edhe zmadhimin e qeverisë federale, ndonëse ishte zotuar ta zvogëlonte atë.

Edhe disa njerëz që vazhdojnë ta kritikojnë ish presidentin Reagan dhe trashëgiminë e tij, e pranojnë se shpesh, gjatë presidencës së tij, ai demonstroi veti udhëheqëse. Biografi presidencial Richard Reeves jep mësim në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

"Ronald Reagani mund të ketë qënë ose jo një president i madh. Shumica e njerëzve në vend mendojnë se ai ishte një president i madh. Disa të tjerë, mes tyre edhe unë, kemi rezerva. Sidoqoftë, ai ishte një udhëheqës i madh dhe shumë i zoti në ushtrimin e detyrës së presidentit. Ai e kuptonte fare mirë rolin e presidencës".

Ronald Reagani është popullor jo vetëm për konservatorët, por për shumë amerikanë të të gjitha bindjeve politike.

Shumë prej mbështetësve të tij të paepur thonë se ai do të mbahet mënd më shumë për ringjalljen e frymën kombëtare dhe të optimizmit, në një kohë të vështirë për ekonominë dhe ndërsa amerikanët vinin në pikpyetje vendin e tyre në botë.

James Baker ishte shef i personelit të Shtëpisë së Bardhë dhe sekretar i thesarit, gjatë presidencës së Reaganit. Kohët e fundit, ai foli në Bibliotekën Presidenciale Reagan në Kaliforni.

"Ai na ndihmoi të rizbulonim identitetin tonë. Ai na rikujtonte historinë tone dhe na sfidonte të kishim ëndrra të mëdha për të ardhmen sonë. Në fund të fundit, kjo mund të jetë trashëgimia e tij më e madhe".

Anketat e opinionit publik, të kryera vitet e fundit, tregojnë shpesh se Ronald Reagani është mes presidentëve amerikanë më popullorë, një grup që përfshin Abraham Linkolnin, Xhorxh Uashingtonin, Franklin Ruseveltin dhe Xhohn Kenedin.

XS
SM
MD
LG