Lidhje

Amerikanët dhe dasma mbretërore britanike

  • Zëri Amerikës

Amerikanët dhe dasma mbretërore britanike

Amerikanët dhe dasma mbretërore britanike

Që kur Princi Uilliam i Anglisë shpalli fejesën me Kejt Midelton në nëntor të vitit të kaluar, dasma e tyre u shndërrua në temë të preferuar për shumë njerëz. Megjithëse dita e dasmës po afron, ende nuk dihen shumë hollësi për ceremoninë. Kjo do të jetë një ditë e shënuar jo vetëm për çiftin Uilliam dhe Kejt, por edhe në Shtetet e Bashkuara si për bizneset e specializuara ashtu edhe për ato vajza të reja që përgatiten për ditën e tyre të dasmës:

Uilliam dhe Kejt do të martohen më 29 prill në katedralen Westminster në Londër. Në botën e biznesit të dasmave, kjo ditë përbën një moment kulmor. David Tutera, pronar i një biznesi për organizimin e dasmave, shpjegon:

“Çdo vajzë po pret të shohë çfarë përgatitjesh po bëhen në Londër. Kejt është princesha e ditëve moderne. E ëma e princit Uilliam, Diana tërhoqi vëmendjen e globit kur u martua 30 vjet më parë. Tani të gjithë presin të shohin çfarë do të veshë Kejt, çfarë lulesh do të zgjedhë, çfarë kombinim ngjyrash, si do të jetë torta e dasmës dhe muzika shoqëruese”.

Për familjen mbretërore, martesa e Princit Uilliam është data më e rëndësishme në kalendar që nga dita kur u martua Princi Çarls dhe Diana. Përgatitjet e fundit janë në vetvete një ditë e madhe për gjithë këtë biznes.

“Mendoj se të gjitha vajzat ëndërrojnë të shndërrohen në princesha në ditën e dasmës, sidomos në një vit kur bëhet një dasmë mbretërore. Të gjitha do ta ndjekin me kujdes këtë dasmë në përpjekje për të sjellë elementët e një bote përrallore në jetën e tyre”.

Por megjithë entuziazmin, analistët e tregut thonë se buxheti që po u dedikohet aktualisht dasmave është shumë më i vogël se shpenzimet që bëheshin para krizës. Bizneset bëjnë përpjekje nga më të ndryshmet, si ky panair, për të tërhequr vajzat dhe buxhetin e tyre të dasmës. 33-vjeçarja Sonia Sharma nga Kalifornia thotë se ka ardhur në panair për të gjetur një frymëzim mbretëror për ditën e saj të shënuar:

“Kejt Midelton është modeli i një vajze të re elegante. Më pëlqen shumë si vishet. Besoj se ngjyrat që do të zgjedhë për dasmën e saj do të ndikojnë tek shumë dasma të tjera”.

Një arsye tjetër për popullaritetin e Kejtit është se ajo nuk ka gjak blu, pra është një vajzë e thjeshtë që do të bëhet princeshë. Por David Tutera thotë se prejardhja e saj nuk është aq me rëndësi sa ceremonia përrallore që pritet për dasmën:

“Është një botë fantazie të shohësh nusen në ditën e dasmës, kur shndërrohet në princeshë. Për amerikanët, statusi mbretëror u takon artistëve. Por në fakt Uilliam është vërtetë familje mbretërore. Të gjithë duan të dinë si do të organizohet dasma, nëse Kejt do të ndjekë traditën apo do të vendosë një traditë të re”.

Duket se pavarësisht nga buxheti, apo vendi ku zhvillohet dasma, çdo çift i ri në Amerikë do të përpiqet të gjejë frymëzim tek ceremonia mbretërore e 29 prillit në Londër.

XS
SM
MD
LG