Lidhje

Amerikanët festojnë Ditën e Falenderimeve


Sot, amerikanët festojnë Ditën e Falenderimeve, një festë tradicionale e cila mbledh familjarë dhe miq për të darkuar së bashku dhe për të ndjekur parada e ndeshje futbolli. Për shumë njerëz, festa shënon edhe fillimin e sezonit të blerjeve.

Policia njoftoi se për paradën e këtij viti në Nju Jork janë marrë masa të shtuara sigurie, si vendosja e kamionëve të mbushur me rërë përgjatë trajektores së paradës, apo përdorimi i qenve anti-bombë që nuhasin materiale eksplozive.

Megjithëse nuk ka njoftime për kërcënime konkrete, departamenti i policisë së Nju Jorkut do të angazhojë mbi 3 mijë policë me uniformë dhe civilë përgjatë trajektores prej 4 kilometrash të paradës.

Policisë së Nju Jorkut i janë shtuar sfidat këtë vit për shkak të vendndodhjes së rezidencës së Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Zoti Trump dhe familja e tij nuk do të jenë në Nju Jork. Ata do ta festojnë Ditën e Falenderimeve në Palm Beach të Floridës.

Zoti Trump dha një mesazh uniteti nëpërmjet një videoje të nxjerrë në mediat sociale për Ditën e Falenderimeve.

Ai tha se “është momenti të rikrijojmë hallkat e besimit ndërmjet qytetarëve, sepse kur Amerika është e bashkuar, nuk ka asgjë që nuk e arrijmë dot”.

XS
SM
MD
LG