Lidhje

Amerikanët këshillohen të evakuohen edhe më larg vendndodhjes së aksidentit bërthamor

  • Kent Klajn

Amerikanët këshillohen të evakuohen edhe më larg vendndodhjes së aksidentit bërthamor

Amerikanët këshillohen të evakuohen edhe më larg vendndodhjes së aksidentit bërthamor

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara po u rekomandojnë amerikanëve të qëndrojnë 80 kilometra larg uzinës “Daiichi” në Fukushima, e cila u dëmtua rëndë nga tërmeti dhe cunami i javës së kaluar. Zyrtarët japonezë kanë këshilluar banorët të lëvizin 32 kilometra larg objektit.

Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni, u tha gazetarëve se udhëzimi vjen nga Komisioni Rregullator Bërthamor i Shteteve të Bashkuara, kryetari i të cilit u takua me Presidentin Barak Obama më parë gjatë ditës.

“Udhëzimet e qeverisë japoneze, sipas informatave që kemi, ndryshojnë nga udhëzimet që ne do të kishim dhënë po të ndodhte ky incident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Në fillim të javës, zoti Karni këshilloi amerikanët në Japoni që të ndjekin udhëzimet e qeverisë japoneze. Ai tha të mërkurën se ndryshimi i udhëzimeve mbështetet në gjendjen e ndryshueshme në impiantin e energjisë dhe nuk pasqyron një mosmarrëveshje në mes të Uashingtonit dhe Tokios.

“Kjo nuk ka të bëjë me cilësinë e informacionit; por me standardet e vendosura nga Komisioni Rregullator Bërthamor këtu në Shtetet e Bashkuara dhe me udhëzimet që ai do të jepte në rast se ky incident ose diçka e ngjashme do të ndodhte në Shtetet e Bashkuara”.

Zëdhënësi i presidentit tha se ai nuk do të gjykojë vlerësimin e qeverisë japoneze, por shtoi se rekomandimi i ri është një analizë e veçantë e mbështetur në standardet amerikane.

“Në rast se udhëzimet tona se çfarë duhet bërë për t’u përballur me këtë incident dhe për të mbrojtur sigurinë fizike dallojnë nga udhëzimet e qeverisë së Japonisë, ne do të japim këshilla shtesë dhe të veçanta për qytetarët amerikanë në Japoni”.

Zoti Karni tha gjithashtu se gjendja e përkeqësuar e objektit në Fukushima kërkon që reagimi i Shteteve të Bashkuara t’u përshtatet rrethanave.

“Situata është përkeqësuar gjatë ditëve që nga cunami. Situata është rënduar dhe tani mund të shtaktohen dëme edhe më të mëdha nga reaktori. Kjo është arsyeja pse kemi nxjerrë udhëzime të reja, duke u mbështetur në rrethanat që po ndryshojnë vazhdimisht”.

Zoti Karni theksoi se Japonia po drejton përpjekjet për të penguar rrezatimin nga termocentralet dhe se Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë në çfarëdo mënyre që munden.

Ai u bëri thirrje amerikanëve në Japoni të shohin faqen elektronike të Departamentit amerikan të Shtetit për informata rreth fatkeqësive dhe që të qëndrojnë në kontakt me ambasadën apo konsullatat amerikane.

Zoti Karni tha gjithashtu se nuk është shqyrtuar asnjë mundësi që Presidenti Obama të shtyjë udhëtimin drejt Amerikën Latine më vonë këtë javë për shkak të krizës në Japoni.

XS
SM
MD
LG