Lidhje

Amerikanët të lodhur nga 10 vjet luftë në Afganistan


Amerikanët të lodhur nga 10 vjet luftë në Afganistan
Amerikanët të lodhur nga 10 vjet luftë në Afganistan

7 tetori shënon 10 vjetorin e fillimit të luftës në Afganistan, të nxitur nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, 2001. Kjo është një luftë që presidenti Obama e trashëgoi, dhe që ka premtuar t’i japë fund. 10 vjet – kjo është lufta më e gjatë në historinë amerikane. Gati 1,800 trupa amerikane të vrarë.

Osama bin Laden, organizatori i sulmeve të Al-Kaidës në Shtetet e Bashkuara u vra në Pakistan në maj të këtij viti nga forcat speciale amerikane. Qershorin e kaluar, Presidenti Obama tha se “batica e luftës” po largohet, ndërsa njoftoi fillimin e tërheqjes së trupave amerikane.
“Duke filluar nga muaji tjetër, ne do të fillojmë tërheqjen në mënyrë që të tërheqim 10,000 trupa nga Afganistani deri në fund të vitit, dhe do të sjellim në atdhe 33 mijë trupa deri verën e ardhshme".

Amerikanët i mbështetën fuqimisht veprimet ushtarake 10 vjet më parë. Por anketat e opinionit tani tregojnë se ata janë të lodhur nga lufta dhe duan që trupat të kthehen më shpejt. Peter Brown punon në Institutin e Anketimeve pranë Universitetit Quinnipiac në Connecticut.
"Shihet qartë se vendi është i lodhur nga lufta dhe ajo që është interesante është fakti se nuk është njëra parti apo tjetra. Tradicionalisht republikanët kanë qënë më përkrahës për këto luftra por edhe mbështetja e tyre po bie".

Kundërshtimi ndaj luftës po shprehet në qytete në mbarë vendin. Por shumë amerikanë kanë nevoja më urgjente. Gati 14 milionë janë të papunë. Në qershor, kryetarët e bashkive në mbarë vendin bënë thirrje për një përfundim më të shpejtë të angazhimit amerikan në Afganistan dhe Irak, në mënyrë që ato para të shpenzohen në vend. Presidenti Obama pranoi se lufta ka kosto të lartë.

"Kemi shpenzuar një trilion dollarë në luftë, në një kohë kur është shtuar borxhi dhe ekonomia është në vështirësi. Tani, duhet të investojmë në burimin më të mirë të Amerikës – njerëzit tanë".

Ndërsa Shtetet e Bashkuara pakësojnë trupat, disa demokratë kërkojnë që Presidenti të rishqyrtojë strategjinë e përgjithshme në Afganistan. Senatori Jim Webb nga Virginia foli kohët e fundit në një seancë dëgjimore në Kongres.

"Nëse duam që vërtetë vendi të ketë durim përsa i përket një lufte të gjatë si ajo në Afganistan, do të jetë edhe më e rëndësishme të përcaktojmë saktësisht se çfarë interesash jetike kombëtare kemi me operacionet tona në Afganistan”.

Kandidatët presidencialë republikanë thonë se politika ndikoi në vendimin e zotit Obama për të sjellë trupat në vend. Por ata pohojnë se afganët duhet të marrin përgjegjësinë për sigurinë e vendit të tyre.

Në raportin e fundit në Kongres për ecurinë e luftës, zoti Obama tha se plani i tij i tërheqjes mbetet i pandryshuar, por ai përballet me sfida të mëdha përpara.

XS
SM
MD
LG