Lidhje

Amnesty: Kulturë racizmi në policinë greke


Organizata e njohur e të drejtave të njeriut Amnesty International, thotë se në policinë greke ka zënë rrënjë prej kohësh një kulturë e mosndëshkimit, racizmit dhe dhunës. Organizata sjell si shembull përdorimin e tepruar të forcës kundër protestuesve dhe keqtrajtimin e emigrantëve dhe refugjatëve.

Amnesty International thotë se ka arritur në këto përfundime pas një hetimi që ka bërë lidhur me policinë në Greqi. Kjo pason një hetim zyrtar rreth lidhjeve midis policisë dhe organizatës Agimi i Artë.

Deri në dhjetor të vitit të kaluar, thotë Amnesty International, rreth 50 vetë, duke përfshirë udhëheqësin e Agimit të Artë, dy policë dhe pesë deputetë ishin arrestuar dhe ndaj tyre ishin ngritur padi me akuza që shkonin nga vrasje e deri te shpërthimet për të bërë shantazh.

Dhjetë policë u gjetën se kishin lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me aktivitete kriminale që u atribuohen anëtarëve të Agimit të Artë.

Në fund të muajit mars 2014 policia në burgun Nigrita të Greqisë së veriut, rrahu për vdekje një të burgosur në qeli. Autopsia zbuloi se ai ishte rrahur keqazi në shputat e këmbëve dhe në gjoks dhe se kishte djegie në duar.
Në tre vitet e fundit, ka pasur një shkallëzim dramatik të sulmeve me motiv urrejtjen kundër kundër refugjatëve dhe migrantëve.

Krime të urrejtjes janë regjistruar edhe kundër komunitetit rom dhe komunitetit LGBTI. Përfaqësuesit e ligjit thuhet se kanë dështuar të parandalojnë sulme të tilla ose të hetojnë motivin e urrejtjes.
XS
SM
MD
LG