Lidhje

Analistët: Al-Kaida përfiton nga trazirat në Jemen


Analistët: Al-Kaida përfiton nga trazirat në Jemen
Analistët: Al-Kaida përfiton nga trazirat në Jemen

Zyrtarët amerikanë të zbulimit besojnë se al-Kaida në Gadishullin Arabik tani është kërcënimi më i madh terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe analistët thonë se organizata me bazë në Jemen po përfiton nga dhuna dhe trazirat në atë vend. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Meredith Buel, sjell hollësi në këtë kronikë nga Uashingtoni.

Al-Kaida në Gadishullin Arabik u formua në vitin 2009 me një shkrirje të degëve të grupit terrorist në Arabinë Saudite dhe Jemen dhe pothuajse menjëherë filloi të përqëndrohet në sulme ndaj Shteteve të Bashkuara.

Në dhjetor të atij viti, grupi mori përgjegjësinë për një përpjekje shpërthimi bombe në një avion udhëtarësh që fluturonte për në Detroit në ditën e Krishtlindjeve.

Në tetor 2010, një komplot për shpërthim bombe u zbulua kur dy pako me mjete shpërthyese u gjetën në avionët e mallrave me destinacion Shtetet e Bashkuara. Paketat qenë dërguar nga Jemeni.

Analistja Kethrin Zimerman përcjell zhvillimet në Jemen për Institutin American Enterprise. Ajo thotë se rreziku më i madh për Shtetet e Bashkuara vjen nga përfitimet që al-Kaida në Gadishullin Arabik ka arritur nga trazirat e tanishme.

“Forcat kundër terrorizmit janë zhvendosur nga vendstrehimet e al-Kaidës në Jemen drejt kryeqytetit për të mbrojtur interesat e regjimit, si pallatin presidencial dhe infrastruktura të tjera të rëndësishme. Kjo ka zgjeruar hapësirën vepruese që al-Kaida ka në Jemen”.

Studiuesi Kristofer Busek nga Instituti Karnegi për Paqe Ndërkombëtare merret me çështjet e terrorizmit dhe të stabilitetit në Jemen. Ai thotë se pjesëtarët dhe celulat e al-Kaidës në Jemen po planifikojnë sulme në Shtetet e Bashkuara.

“Mungesa e qëndrueshmërisë në Jemen nuk është një zhvillim i largëtpër amerikanët. Ai ndikon në sigurinë e brendshme të Shteteve të Bashkuara. Kjo dhe pasiguria në Jemen janë një çështje që lidhen me sigurinë e Amerikës”.

Ish-ambasadori amerikan në Jemen, Edmund Hull, i cili ka qenë gjithashtu ushtrues detyre i bashkërenduesit të antiterrorizmit në Departamentin e Shtetit, thotë se al-Kaida në Gadishullin Arabik ka të ngjarë të ndërmarrë një tjetër sulm ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Ata kanë thënë se edhe thjesht duke u përpjekur, ky për ta është një sukses, sepse na detyrojnë të marrim masa të reja sigurie, duke shtuar barrën mbi supet tona. Kështu që ata fitojnë, edhe nëse nuk ia dalin mbanë qind për qind”.

Grupi terrorist boton një revistë në gjuhën angleze në internet që përmban udhëzime për ndërtimin e bombave dhe përpiqet të rekrutojë qytetarë vendës për të kryer vepra terroriste. Sërish analistja Zimerman:

“Ata po përpiqen jo vetëm të kryejnë sulme spektakolare e me shumë viktima kundër interesave amerikane, por edhe të nxisin rekrutët e mundshëm të kryejnë sulme në shkallë më të vogël”.

Kristofer Busek thotë se grupi po bën thirrje për sulme të vogla, të cilat kushtojnë më lirë dhe janë më të vështirë të zbulohen.

“Kjo është një organizatë që arrin të mësojë shumë shpejt, di të shfrytëzojë rastin dhe është gjithnjë e më vdekjeprurëse. Mendoj se problemi në Jemen duket më i vogël nga ç’është në të vërtetë”.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, në një vizitë të pazakontë të nivelit të lartë në Jemen në fillim të këtij viti, tha se administrata Obama ka “ribalancuar” programin e ndihmave amerikane, në mënyrë që ato të mos anojnë nga çështjet e terrorizmit dhe sigurisë.

Zonja Klinton tha se gati gjysma e programit prej 300 milion dollarësh për këtë vit ka për qëllim të ndihmojë Jemenin të kompensojë rënien e prodhimit të naftës dhe mungesat e mëdha të ujit.

XS
SM
MD
LG