Lidhje

Analistët debatojnë mbi shanset e zotit Hollande për rimëkëmbjen e ekonomisë

  • Lysa Bryant

Udhëheqësit botërorë dje uruan socialistin Fransua Hollande për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të Francës të cilat përmes votës larguan një udhëheqës tjetër Evropian nga posti në mes të një krize financiare e cila ende po vazhdon. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Paris Lisa Bryant, tregjet financiare evropiane mbeten të paqëndrueshme, duke reflektuar pasigurinë në lidhje me udhëheqësit e ardhshëm të Francës dhe plaent e tij ekonomike për vendin.


Ndërkohë që ka filluar të ulet intensiteti i festimeve, presidenti i ardhshëm i Francës, Francois Hollande, ndeshet me shumë sfida.


Duke iu drejtuar mijëra mbështetësve pasi mposhti presidentin konservator Nikolas Sarkozi të dielën, zoti Hollande premtoi, barazi drejtësi dhe një të ardhme më të mirë për të rinjtë francez.

Zoti Hollande tha se ai dëshiron të ngrejë taksat për të pasurit dhe të investojë më shumë në arsim. Ai tha se dëshiron që Evropa të inkurajoj rritje ekonomike e jo masa shtërnguese për të zgjidhur krizën finaciare.

Por shumë njerëz nuk janë të sigurt nëse 57-vjeçari socialist është i përgatitur për punën që e pret atë. Zoti Hollande ka qenë i angazhuar në politikë për shumë vite. Por ai është një udhëheqës i pa provuar në kohë të vështira ekonomike. Borxhi kombëtar i Francës dhe papunësia po rriten me shpejtësi. Dhe ekonomia e vendit ka shënuar një rritje të vogël.

Bruno Cautres është analisti politik.


“Askush nuk i di saktësisht aftësitë e zotit Francois Hollande për t'u përballur me probleme të mëdha ekonomike, për t’iu përgjigjur detyrave që burojnë nga posti i presidentit francez”.

Por zoti Cautres thotë se zoti Hollande i ka befasuar shumë njerëz gjatë fushatës presidenciale duke përfaqësuar veten si një kandidat serioz presidencial dhe i aftë për trajtimin e çështjeve të vështira.

Në rrugët e Parisit, mbështetësit e zotit Hollande si studentja 24-vjeçarje Luiza Taiati janë të gëzuar me fitoren e kandidatit të tyre.

Taiati thotë se të majtët francezë kanë pritur për 20 vjet për një president të Partisë Socialiste. Gjatë kohës kur zoti Sarkozy ishte në pushtet, ajo thotë se ka pasur pasiguri ekonomike dhe njerëzit janë ndeshur me vështirësi të mëdha ekonomike.

Por biznesmeni 33-vjeçar Juan Pablo Vargas është i shqetësuar për të ardhmen.
“Unë jam shumë i preokupuar për Francën dhe Evropën sepse nuk jemi të sigurt se Gjermania do të vazhdojë të financojë çdo gjë, në qoftë se Hollande ndryshon politikat finaciare të Francës. Kam frikë se Franca mund izolohet nga Gjermania. Dhe në qoftë se ndodh, kjo mund të shkaktoj shpërbërjen e Bashkimi Evropian dhe një gjë e tillë nuk do të ishte mirë për askënd”.

Zoti Hollande thotë se ai do të ndryshojë marrëveshjen për disiplinë fiskale të nënshkruar nga 25 vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë. Pas inaugurimit të tij javën e ardhshme, zoti Hollande pritet të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila është një mbështetëse e fuqishme e disiplinës buxhetore.

Ekonomisti Tomasz Michalski i cili punon në një shkollë biznesi në Francë thotë se thirrja zotit Hollande për rritje ekonomike gjen mbështejtje në vende të tjera evropiane, ndërkohë që protestat popullore kundër masave shtrënguese ekonomike vazhdojnë të zgjerohen.


“Zoti Hollande është shumë i zgjuar Ai është shumë i saktë në gjuhën e tij. Ai nuk dëshiron të rinegociojë paktin fiskal. Ai dëshiron ta modifikoj atë duke i shtuar paktit elementin e rritjes ekonomike. Në këtë pikë ai dhe zonja Merkel mund të diskutojnë marrëveshjen”.

Por Michalski thotë se udhëheqësi socialist është duke bërë premtime të mëdha për Francën dhe Evropën, premtime të cilat ai mund të mos jetë në gjendje t’i përmbushi në një kohë kur parashikimet e rritjes ekonomike janë të zymta.

Zoti Michalski thotë se fati politik i zotit Hollande nuk do të varet nga politikat e tij, por nga ngjarjet e jashtme. Në qoftë se ekonomia globale rimëkëmbet, ai mund të jetë në gjendje t’i përmbushi premtimet e tij. Nëse jo, sipas zotit Michalski, zoti Hollande mund të ketë të njëjtin fat politik si presidenti në largim Nicolas Sarkozy.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG