Lidhje

Analistët: Incidenti në Kumanovë kërcënim ndaj sigurisë në rajon


Analistët mbi Maqedoninë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:00 0:00

Përleshjet e javës së kaluar në Kumanovë të Maqedonisë janë kërcënimi më i madh ndaj sigurisë në Ballkan në katërmbëdhjetë vite, thonë analistët. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analistët Edward Joseph, Marko Prelec dhe Daniel Serwer thanë se duhet të ketë një hetim të plotë të ngjarjeve të fundit në Maqedoni.

Analistët mbi Maqedoninë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:00 0:00

Drejtori i Institutit të Çështjeve Botërore, Edward Joseph thotë se përleshjet me armë në Kumanovë janë kërcënimi më i madh i sigurisë në Ballkan që nga përfundimi i konfliktit në Maqedoni para 14 viteve. Zoti Edwards thekson se transparenca në hetimin e incidentit është në interesin e qeverisë maqedonase.

“Nëse qeveria ka informacione mbi atë që ka ndodhur, ajo duhet t’i publikojë ato për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike, maqedonasit, shqiptarët. Qeveria duhet t’i bëjë të disponueshme informacionet dhe t’i ndajë ato me komunitetin ndërkombëtar. Publikimi i plotë dhe më transparent i informacioneve është në interesin e qeverisë. Ky ka qenë një konfrontim shumë serioz ku 22 njerëz u vranë në një betejë me armë në Kumanovë. Katërmbëdhjetë vite pas përfundimit të konfliktit, kjo është një ngjarje shumë serioze dhe qeveria duhet t’i bëjë të qarta dhe t’i publikojë të gjitha informacionet që i ka në lidhje me këtë”.

Edhe drejtori i Grupit të Studimit të Politikave në Ballkan, Marko Prelec është dakord se incidenti me armë në Kumanovë është një kërcënim për qëndrueshmërinë e Maqedonisë dhe rajonit.

“Është një tragjedi dhe ndoshta kërcënimi më serioz ndaj qëndrueshmërisë së Ballkanit në shumë vite, që nga përfundimi i krizës së fundit në Maqedoni para 14 viteve”.

Por, zoti Prelec thotë se reagimi i qytetarëve maqedonas dhe komuniteti shqiptar ka qenë pozitiv, duke reaguar me qetësi ndaj konfliktit dhe dhunës në Kumanovë.

“Ana e mirë e kësaj është se shoqëria maqedonase, komuniteti shqiptar dhe ai maqedonas, duket se janë maturuar. Askush nuk duket se ka oreks për përshkallëzimin e kësaj situate”.

Ndërsa, profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer thotë se është detyrë e forcave të sigurisë që të arrestojnë njerëz të armatosur që kanë për synim destabilizimin e vendit.​

“Kur njerëzit me uniforma ushtarake dhe armë futen në Maqedoni me siç duket një përpjekje për kryengritje, reagimi i forcave të sigurisë ndaj tyre është i drejtë. Mua më vjenë keq që tetë policë janë vrarë, por duket se forcat e policisë në Maqedoni bënë atë që duhej dhe njerëzit janë dakort rreth kësaj”.

Megjithatë, drejtori i Grupit të Studimit të Politikave në Ballkan, Marko Prelec thotë se tani është e nevojshme që të ketë një hetim të menjëhershëm dhe transparent të ngjarjes nga qeveria maqedonase me pjesëmarrjen e miqve të tyre ndërkombëtar. Ai thotë se incidenti në Kumanovë dhe skandali i përgjimeve kanë bërë që njerëzit të humbin besimin tek institucionet e vendit, kështu që për uljen e tensioneve ndryshimet në qeveri mund të jenë të nevojshme.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme tani është që të arrihet në një situatë ku njerëzit kanë besim në institucionet e tyre dhe sundimin e ligjit. Mendoj se një ndryshim në qeveri është i pashmangshëm dhe në fakt tani po ndodh dhe ka shumë të ngjarë që të zgjerohet”.

Analistët thonë se pavarësisht incidenteve të fundit, Maqedonia është një shtet demokratik dhe duhet t’i zgjidhë në mënyrë demokratike problemet në vend përfshirë hetimin e plotë dhe transparent të incidentit në Kumanovë dhe skandalin e përgjimeve.

XS
SM
MD
LG