Lidhje

Analistët: Kërcënimet e Iranit nuk rrezikojnë fillimin e një lufte në Gjirin Persik.

  • Al Pessin

Analistët: Kërcënimet e Iranit nuk rrezikojnë fillimin e një lufte në Gjirin Persik.

Analistët: Kërcënimet e Iranit nuk rrezikojnë fillimin e një lufte në Gjirin Persik.

Kërcënimi i fundit nga Irani për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit çoi në një përgjigje sfiduese nga Shtetet e Bashkuara dhe ngriti shqetësime për mundësinë e një lufte në Gjirin Persik dhe rritjen e çmimit të naftës. Por korrespondenti i Zërit të Amerikës në Londër Al Pessin njofton se analistët nuk presin që lufta e fjalëve të shkallëzohet në një konflikt ushtarak.

Irani lëshoi raketa dhe kreu manovra ushtarake detare, mes retorikës së ashpër nga zyrtarët, të cilët paralajmëruan Shtetet e Bashkuara të mos e dërgonin një aeroplanmbajtëse në Gjirin Persik, një veprim ky rutinë nga Uashingtoni.

Zyrtarët amerikanë e bënë të qartë se operacionet do të vazhdojnë në Gjirin Persik, që është një rrugëkalim ujor ndërkombëtar.

Eksperti për Iranin Mark Fitzpatrick beson se kërcënimet e Iranit janë fallso.

“Është për të qeshur, që dikush të mendojë se marina amerikane do të dëgjojë instruksionet e Iranit dhe do të kufizohet vetëm në një zonë të ngushtë operimi në ujërat që janë ndërkombëtare. Kjo nuk ka për të ndodhur. Pra, kërcënimet e Irani duket qartë që janë të rreme.”

Irani po ashtu kërcënoi se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon 20 për qind e naftës botërore. Në se kjo do të ndodhte, Shtetet e Bashkuara nuk do ta toleronin. Megjithatë, analisti Fitzpatrck thotë se retorika e ditëve të fundit nuk ka gjasa të çojë në luftë.

“Unë nuk mendoj që do të kemi konflikt të armatosur në javët apo dy muajt e ardhshëm”.

Por ai thotë se në se Irani përparon drejt prodhimit të armës bërthamore, kjo mund t’i detyrojë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin të marrin veprime ushtarake. Zyrtarët iranianë thonë se programi bërthamor i vendit ka vetëm qëllime paqësore.

Megjithatë, Irani duket se po e ndjen presionin e Perëndimit. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë thonë se sanksionet ndërkombëtare po fillojnë ta dëmtojnë ekonominë iraniane, sepse ato përqëndrohen tek nafta.

“Tani që sanksionet do të prekin shitjen e naftës së Iranit, pasojat do të ndjehen deri në zemër të ekonomisë iraniane. Pra Teherani ndodhet nën një presion të madh. Vendet që janë nën presion reagojnë në mënyra të ndryshme, shpesh me kërcënime.”

Por analisti Fitzpatrick thotë se retorika e Iranit ka edhe një ndikim praktik, pasi rritja e çmimit të naftës do t’i sjellë për momentin më shumë para Iranit.

Analisti James Brazier i firmës së konsulencës IHS thotë se do të ishte diçka pa mend në se Perëndimi do t’i injoronte kërcënimet e Iranit.

“Irani ka investuar shumë tek marina dhe sidomos përmes taktikave të pazakonta që do të bllokonin transportin përmes Ngushticës së Hormuzit. Pra, si rezultat, mendoj se nuk duhet nënvleftësuar aftësia e marines iraniane për të bllokuar kalimin në Gjirin Persik, megjithëse ndoshta jo për një kohë të gjatë.”

Ekspertët thonë se tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit do të vazhdojnë të ulen e ngrihen, derisa, ose Irani të prodhojë bombën, ose Perëndimi të gjejë një mënyrë për ta bindur Iranin t’i japë fund programit bërthamor.

XS
SM
MD
LG