Lidhje

Analistët komentojnë fjalimin e Presidentit Obama mbi botën arabe


Analistët komentojnë fjalimin e Presidentit Obama mbi botën arabe
Analistët komentojnë fjalimin e Presidentit Obama mbi botën arabe

Presidenti Barak Obama mbajti një fjalim të rëndësishëm, duke u përqëndruar te situata në botën arabe. Analistët thonë se fjalimi i Presidentit Obama ishte deklarata më e plotë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë deri tani mbi rebelimet e fundit në botën arabe.

Fauaz Gerges, ekspert i Lindjes së Mesme në Shkollën Ekonomike të Londrës, thotë se po lind një doktrinë e Presidentit Obama.

“Presidenti Barak Obama i ka pozicionuar Shtetet e Bashkuara plotësisht në anën e popullit arab kundër autokratëve dhe monarkistë arabë. Ai foli për vetëvendosje. Nëse do ta përmblidhnim këtë me pak fjalë, do të thoshim se presidenti e bëri fare të qartë se Shtetet e Bashkuara mbështesin vetëvendosjen e të gjithë popujve arabë”.

Sa i përket përpjekjeve për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, Presidenti Obama bëri edhe një herë thirrje për bisedime mes izraelitëve dhe palestinezëve për një shtet të qëndrueshëm palestinez dhe një Izrael të sigurt.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se negociatat duhet të rezultojnë në dy shtete, me kufij të përhershëm të Palestinës me Izraelin, Jordaninë dhe Egjiptin dhe kufij të përhershëm të Izraelit me Palestinën. Ne besojmë se kufijtë e Izraelit dhe Palestinës duhet të bazohet në ata të vitit 1967 me këmbime për të cilat pajtohen të dy palët, në mënyrë që të vendosen kufij të sigurtë dhe të njohur për të dy shtetet”.

Zoti Gerges thotë se kjo është deklarata më e përparuar e bërë deri tani mbi konfliktin arabo-izraelit.

“Ai ishte shumë i qartë – një shtet palestinez i pavarur, sovran, i qëndrueshëm dhe me territor kompakt, bazuar në kufijtë e vitit 1967. Për herë të parë një president amerikan thotë se shteti i ri palestinez do të bazohet në kufijtë e vitit 1967 me disa këmbime territoresh”.

Analistët thonë se izraelitët dhe palestinezët do të duhet të zgjidhin çështje kyçe gjatë bisedimeve. Ato përfshijnë kufijtë e saktë të një shteti të ri palestinez, cili do të jetë kryeqyteti i tij, kthimi i refugjatëve palestinezë dhe çështja e vendbanimeve hebreje në territoret e pushtuara.

Alon Ben-Meir, profesor në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se një tjetër çështje kyçe për të zgjidhur është marrëveshja e fundit e pajtimit në mes të fraksioneve palestineze – organizatës së moderuar Fatah dhe grupit radikal islam Hamas.

“Hamasi është një organizatë që ende bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe Izraeli me të drejtë do të deklarojë se ‘ne nuk do të negociojmë me asnjë entitet që bën thirrje për shkatërrimin tonë’. Pra, Hamasi dhe Fatahu duhet, herët apo vonë, t’i përgjigjen kësaj pyetjeje: Doni bisedime? Nëse po, duhet të pranoni të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Dhe kjo është një çështje për të cilën askush nuk mund të bëjë kompromis. E drejta e Izraelit për të ekzistuar nuk është e negociueshme”.

Analistët janë dakord për një gjë: se procesi i paqes në Lindjen e Mesme ka ngecur. Ata gjithashtu theksojnë se në fjalimin e tij, Presidenti Obama nuk ofroi ndonjë hap konkret për ta shtyrë procesin më tutje.

Fauaz Gerges thotë se nuk pret ndonjë përparim brenda një kohe të shkurtër.

“Edhe pse presidenti ka bërë një nga deklaratat më të përparuara mbi natyrën e një shteti palestinez, në të vërtetë ai ia la presidencës së ardhshëme të merret me çështjet më të diskutueshme me të cilat përballen palestinezët dhe izraelitët”.

Alon Ben-Meir thotë se qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet të punojë prapa skenave për të siguruar që, nga njëra anë, të gjitha fraksionet palestineze të pajtohen për të hequr dorë nga dhuna dhe, nga ana tjetër, qeveria izraelite të ndalë ndërtimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara.

XS
SM
MD
LG