Lidhje

Analistët komentojnë raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore


Analistët komentojnë raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore

Analistët komentojnë raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore

Analistë të jetës politike në Shqipëri pohuan se raporti i OSBE/ODIHR-it ishte një raport realist që preku me saktësi dhe guxim plagët që ka demokracia shqiptare në proceset zgjedhore. Ish-kryetari i KQZ-së dhe drejtues i Institutit për Zhvillimin e Institucioneve Demokratike dhe Sistemeve Zgjedhore, Kristaq Kume, thotë se raporti konstaton se partitë politike nuk kanë kryer me përgjegjshmëri detyrimin e tyre ligjor për të realizuar një proces zgjedhor demokratik. Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë acarrimi dhe mosbesimi të thellë mes dy partive politike, ndaj edhe reforma zgjedhore në Kodin e ri Zgjedhor duhet të largojë sa më shumë partitë nga procesi zgjedhor, sepse gjithë institucionet me probleme janë institucione ku dy partitë e mëdha kanë futur njerëz brenda me ligjin e tyre.

“Në tërësinë e tij raporti, për mendimin tim, është një kritikë e thellë që I bëhet klasës politike shqiptare. Këtë raport duhet ta lexojnë të gjithë ata që kanë patur detyra, kanë marrë pjesë në realizimin e këtij procesi zgjedhor. Raporti hap një fushë të madhe diskutimi për atë çfarë duhet bërë paskëtaj, jo vetëm duke iu referuar rekomandimeve të dhëna në të, por edhe referuar frymës së përgjithshme të këtij raporti. Ekziston një nevojë e madhe për diskutimin dhe votimin në parlament, për të bërë ndryshime të tilla në Kodin Zgjedhor, të cilat të ngushtojnë në maksimumet e mundshme të drejtat e shumta që i kanë njohur vetes partitë politike për të administruar nga A-ja deri te ZH-ja procesin zgjedhor” - tha ai. Zoti Kume propozon thjesht që partitë duhet të largohen nga administrimi i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve me njerëzit e tyre nga çdo komision zgjedhor, sepse ata janë në konflikt interesi, dhe sepse ata e shkelin gjithmonë ligjin siç thuhet në të gjitha raportet dhe në të gjitha rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ndërsa analisti Lutfi Dervishi thotë se është për të ardhur keq që rekomandimi i parë i raportit të këtij viti është se partitë duhet të lexojnë rekomandimet e vitit 2009. Deri tani në të dyja raportet së bashku janë bërë gjithsej 58 rekomandime që duhet të plotësojnë partitë shqiptare me reformën e pritshme zgjedhore. “Partitë e mëdha kanë arritur me konsensus të miratojnë Kodin Zgjedhor, ku i kanë dhënë vetes shumë rol për administrimin e zgjedhjeve nga qeliza bazë deri në majën e piramidës që është KQZ. Duke i njohur vetes gjithë këto të drejta dhe përgjegjësi, rekomandimi kryesor që ata t’i përdorin këto kompetenca në mënyrë të përgjegjshme, dhe të drejtat të balancohen me përgjegjshmërinë. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk pritet të ndodhë, sepse është një skemë e cila nënkupton përgjegjësi maksimale dhe konsensus maksimal, por ne kemi parë deri tani polarizim maksimal, dhe në ndonjë rast edhe papërgjegjshmëri maksimale” - tha ai.

Zoti Dervishi thotë se është skeptik që partitë politike do të ulen shpejt për të nisur reformën zgjedhore, por ato duhet të heqin dorë nga fuqitë që i kanë dhënë vetes mbi procesin dhe nga zakoni që e vonojnë reformën deri në çastin e fundit.
“Një rekomandim tjetër është që çdo reformë zgjedhore duhet bërë në kohë. Kjo do të thotë që reformat ë bëhet shumë kohë para se të bëhen zgjedhjet, dhe jo nën trysninë e zgjedhjeve të ardhshme. E keqja është se edhe ndryshimet kushtetuese që u bënë në 2008, edhe çdo reformë zgjedhore pakashumë është bërë duke patur parasysh zgjedhjet e afërta dhe jo duke patur parasysh integritetin e procesit zgjedhor, apo synimin maksimal për të dhënë fund një herë e mirë debatit për zgjedhjet. Zgjedhjet duhet të jenë një proces aritmetik kur të lexohet vullneti i zgjedhësve, dhe jo një proces kimik me reaksione të paparashikueshme” - tha ai.
Zgjedhjet vendore të 8 majit u përshkruan në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it si “transparente dhe konkurrente”, dhe se u mbajtën në klimën e polarizuar prej ngjarjeve të 21 janarit. Raporti renditi një mori problemesh, që duhen shmangur në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se cilësia e zgjedhjeve dhe cilësia e reformës është në duar të vetë protagonistëve shqiptarë.

XS
SM
MD
LG