Lidhje

Analistët paralajmërojnë për krizë të re, pa rritjen e tavanit të borxhit


Analistët paralajmërojnë për krizë të re, pa rritjen e tavanit të borxhit
Analistët paralajmërojnë për krizë të re, pa rritjen e tavanit të borxhit

Megjithëse të dyja palët thonë se e konsiderojnë debatin si një mundësi për të ulur deficitin në rritje të vendit, udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët thonë se do të kundërshtojnë çdo përpjekje nga presidenti Obama për të rritur taksat.

Departamenti i Thesarit thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë më fonde pas 2 gushtit, nëse Kongresi nuk miraton rritjen e tavanit të borxhit. Në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC, Sekretari Gajtner tha se dështimi nuk është opsion.

“Nëse ndodh një gjë e tillë, do të shohim dëme katastrofike në ekonominë amerikane dhe në ekonominë globale”.

Presidenti Barak Obama tha në komentet për rrjetin CBS këtë javë se nuk mund të garantonte që pensionistët do të merrnin çeqet e pensionit më 3 gusht.

Por ekonomistët thonë se ky është vetëm fillimi. Mos-rritja e tavanit të borxhit mund të çojë në rënie të ndjeshme të tregjeve globale, të ngjashme me krizën e vitit 2008.

Ekonomistja Heather Boushey e Qendrës për Përparim Amerikan thotë se mund të bjerë besueshmëria e tregut amerikan dhe kreditorët mund të rrisin normat e interesit.

“Kjo gjë do të ndikojë menjëherë, jo vetëm në normat e interesit të huamarrjes për qeverinë federale, që ndikon tek shuma e borxhit që do të duhet të shlyejnë amerikanët në të ardhmen, por edhe në norma të tjera interesi tek të cilat mbështeten familjet dhe bizneset”.

Normat e interesit për kreditë e shtëpive mund të rriten. Mund të bien shpenzimet e konsumatorëve dhe mund të shtohet papunësia, pasi bizneset nuk do të marrin më njerëz në punë.

“Nuk mendoj se mund të përjashtojmë mundësinë që të kthehemi në krizë”.

Pavarësisht nga këto gjasa të frikshme, ekonomistët janë përgjithësisht optimistë. San Stovall me kompaninë Standard and Poor’s thotë se kjo rrjedh nga fakti i thjeshtë se dështimi financiar i Amerikës është i paimagjinueshëm.

“Mendoj se edhe alternativa më e pamundur, pra që Kongresi të mos miratojë rritjen e tavanit të borxhit, po afron çdo ditë e më shumë, gjë që na bën të mendojmë se ndoshta vërtetë e pamundura do të bëhet realitet”.

Këto gjasa i shqetësojnë amerikanët.

“Mundësia që të mos paguajmë detyrimet e borxhit është kërcënim i madh për ekonominë amerikane. Më shqetëson ndikimi tek punësimi, e ardhmja e fëmijëve”.

Shon Hill punon për një organizatë jofitimprurëse në Uashington. Ai thotë se askush nuk do të mbetej pa u ndikuar:

“Më shqetëson ndikimi që mund të ketë tek sistemi i kujdesit shëndetësor, bankat, tregu imobiliar dhe arsimi. Shqetësohem edhe për mënyrën si e sheh komuniteti ndërkombëtar”.

Pavarësisht nga ngjashmëritë me Greqinë, Hedher Baushi thotë se nuk ka gjasa që qeveria të mos paguajë detyrimet e borxhit.

“Nuk është e qartë përse do të arrinte Amerika në këtë pikë tani, që kemi kapërcyer një krizë të madhe. Shumë biznese po rimëkëmben, po forcohen, situata nuk është aq keq në Amerikë, pra s’është si Greqia apo vende të tjera. Do të ishte një dështim financiar i qëllimshëm dhe mesazhi që do t’u dërgonim investitorëve dhe vendeve të tjera si dhe vetë amerikanëve për mënyrën si funksionon Amerika, nuk do të ishte i mirë”.

Megjithë mëdyshjet, zonja Baushi paralajmëron se individët nuk kanë shumë në dorë për ta penguar skenarin më negativ, përveçse të ngrenë zërin për t’u kujtuar politikanëve se po luajnë me zjarrin.

XS
SM
MD
LG