Lidhje

Analistët: Regjimit të presidentit sirian po i vjen fundi


Një ekip i paqëruajtsve të OKB-së dhe Lidhjes Arabe ndodhet në Siri. Ata shpresojnë të fillojnë punën për vendosjen e një misioni që ka për qëllim t’i japë fund dhunës. Aktivistët thonë se forcat qeveritare kanë nisur sulme të reja të përditshme, pavarësisht se është arritur një marrëveshje armëpushimi me presidentin sirian Bashar Al-Assad, për më 10 prill. Marrëveshja që është pjesë e një plani paqeje të ndërmjetësuar nga i dërguari i posaçëm i OKB-së dhe Lidhjes Arabe për Sirinë, Kofi Annan. Në vazhdim do të ndiqni një analizë mbi planin e paqes dhe veprimet që mund të ndërmarrë presidenti Al-Assad për të qëndruar në pushtet.

Revolucionet që vitin e kaluar përfshinë vendet arabe u përhapen edhe në Siri në mars të vitit të kaluar. Kur banorët e këtij vendi dolën në rrugë për të protestuar kundër torturimit të studentëve, qeveria u përgjigj me forcë. Shumë shpejt protestat anti-qeveritare u përhapën në të gjithë vendin.

Presidenti sirian Bashar Al-Assad dhe ushtria e tij e armatosur mirë e kanë mbajtur pushtetin me forcë për më shumë se një vit. Por shumë analistë thonë se ditët e këtij regjimi janë të numëruara.

Marius Deeb është professor i studimeve të Lindjes së Mesme në universitetin Johns Hopkins.

“Nuk mendoj se Assad do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, sepse 80 për qind e popullsisë janë kundër tij. Mund të marrë kohë që ai të rrëzohet nga pushtetit por ai nuk mund t’i shmanget kësaj”.

Zoti Assad dhe shumica e elitës politike që po sundon vendin i përkasin sektit Alawite që është pakicë në këtë vend me shumicë suni.

Siria ende ka disa miq në botën arabe. Vendet arabe kanë premtuar 100 milionë dollarë ndihmë financiare për luftëtarët e opozitës dhe administra e presidentit Obama ka rënë dakord të dërgojë pajisje komunikimi.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk do të heqë dorë nga kërkesa e vet: Assad duhet të largohet dhe populli sirian duhet të jetë i lirë të zgjedhë rrugën drejt së ardhmes”.

Disa analistë janë shprehur skeptikë ndaj planit të paqes të ndërmjetësuar nga i dërguari ndërkombëtar për Sirinë Kofi Annan, i cili i bën thirrje qeverisë dhe forcave të opozitës të fillojnë zbatimin e armëpushimit më 10 prill. Por, analisti i Institutit të Lindjes së Mesme Daniel Serwer mendon se ky është një hap në drejtimin e duhur.

“Vazhdimi i dhunës nuk është në interesin e amerikanëve, sirianëve apo në interesin e komunitetit ndërkombëtar”.

Aleati i ngushtë i Sirisë, Irani do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Sirisë, por disa analistë parashikojnë se Rusia mund ta braktisi mikun e vet tradicional.

“Shqetësimi kryesor i rusëve do të jetë qasja në tregun e armëve dhe në një pikë të caktuar as diktatorët që janë në ikje nuk mund ta garantojnë një gjë të tillë”.

Analistët parashikojnë se opozita në Siri do të fitojë mbështetje më të madhe ndërkombëtare dhe ata i kanë bërë thirrje forcave rebele që të mos persekutojnë pakicat. Shumica e analistëve janë janë dakord me mendimin se pakënaqësia ndaj zotit Assad është rritur shumë, duke arritur në pikën ku ai nuk mund ta kontrollojë më gjendjen.

XS
SM
MD
LG