Lidhje

Krimea, Rusia dhe e ardhmja e Ukrainës

  • Laura Konda

Cila do të jetë e ardhmja e Ukrainës, a mund të kthehet atje stabiliteti politik pas zgjedhjeve të muajit maj dhe cili do të jetë roli i ish-kryeministres së dalë nga burgu Julia Timoshenko në zhvillimet politike të vendit? Shefi i Shërbimit të Ukrainës në Zërin e Amerikës, Adrian Karmazin komenton për zhvillimet e fundit.



Zëri i Amerikës: Zhvillimet e kohëve të fundit në Krime, pritej të ndodhnin, apo ishte e papritur për të gjithë?

Adrian Karmazin: Kur një qeveri e re vjen në pushtet, njerëzit fillojnë të kenë shpresa. Prandaj, mendoj se për shumë njerëz që i kanë ndjekur ngjarjet në Ukrainë, ajo ç’ka ndodhi në Krime ishte e papritur. Nuk ka asnjë pjesë tjetër të Ukrainës, që të ketë një popullsi ruse në shumicë, si në Krime, ku rreth 60 për qind e popullsisë së gadishullit janë rusë. Shumë vëzhgues po tregohen tepër të kujdeshëm për të mos bërë një paralelizëm mes asaj që po ndodh në Krime dhe në pjesë të tjera të Ukrainës, ku jetojnë pakica ruse. Pra, jo domosdo ajo që po ndodh në Krime mund të ndodhë edhe në pjesë të tjera të vendit, ku jetojnë pakica ruse.

Zëri i Amerikës: Lajmet nga Ukraina dhe Rusia, janë të ndryshme kur është fjala për gjendjen e të drejtave të minoritetit rus në Ukrainë. Si qëndron e vërteta, sipas jush?

Adrian Karmazin: Sekretari Kerry dhe ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, dolën me deklarata shumë të forta lidhur me faktin që nuk ka patur shkelje të të drejtave të njeriut tek popullsia rusishtfolëse, me etnicitet rus në Krime dhe në rajone të tjera të Ukrainës. Ata i kanë kërkuar Rusisë që të kërkojë ndihmën e oragnizatave të ndryshme për të bërë një vlerësim te gjendjes së të drejtave të rusëve në Ukrainë, por Rusia nuk ka shprehur ndonjë interes. Prandaj, opinioni publik ne Shtetet e Bashkuara dhe shtypi amerikan i kanë vënë në pikëpyetje akuzat e zotit Putin dhe qeverisë së tij për shkeljen e të drejtave të njeriut. Duket se në shoqërinë ukrainase ekziston bindja që pakica ruse është trajtuar mirë. Me këtë rast dua të përmend një shkrim të gazetës "Christian Science Monitor" disa vjet më parë, lidhur me çështjen e gjuhës në Ukrainë dhe popullsinë rusishtfolëse. Në atë shkrim thuhej se në Ukrainë pakicat ruse mund të flasin lirisht, cilëndo gjuhë, ukrainase, apo ruse, sipas dëshirës. Sigurisht, që pas fitores së pavarësisë nga Ukraina në vitin 1991, ngaqë vendi ka ndjerë për një kohë të gjatë shtypjen, gjuha ukrainase pati një lloj ringjalljeje. Edhe në udhëtimet e mija në Ukrainën Lindore, vura re se njerëzit ishin entuziastë që po mësonin gjuhën urkainase për herë të parë; prindërit dhe gjyshërit e tyre mund të mos e kenë patur këtë mundësi për vite me radhë. Nganjëherë, gjatë fushatave elektorale politikanët përdorin çështjen e gjuhës për synime politike. Por, mund të them se çështja e gjuhës nuk ka qenë objekt diskriminimi për rusët me banim në Ukrainë.

Zëri i Amerikës: Ukraina ka një qeveri të përkohëshme deri në zgjedhjet presidenciale të muajit maj. Ish kryeministrja Julia Tymoshenko tashmë ka dalë nga burgu. A mendoni se ajo ka shanse t’i fitojë zgjedhjet dhe të bëhet presidentja e ardhshme e Ukrainës?

Adrian Karmazin: Qeveria e re e Ukrainës është zgjedhur nga Parlamenti, që u rikonfigurua pas shkarkimit dhe largimit nga Ukraina të presidentit Janukoviç. Qeveria aktuale, edhe pse është e përkohëshme, mund të qëndrojë në pushtet për një farë kohe, ndoshta 6 muaj, apo një vit, nuk di nëse kjo mund të ndodhë. Zgjedhjet presidenciale mund të ndikojnë tek kjo çështje, e cila do të jetë pjesë e kompromisit dhe ndryshimeve që ndodhën në Ukrainë, si dhe e marrëveshjes që u ndërmjetësua nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe presidentit ukrainas, kur ai ishte ende në pushtet. Kjo marrëveshje me opozitën i dha përsëri më tepër kompetenca Parlamentit dhe më tepër fuqi qeverisë dhe kryeministrit. Arritjet që mund të realizojë kjo qeveri mbetet të shihen. Duke ju përgjigjur pyetjes suaj për zonjën Tymoshenko, mund të them se ajo ka një numër të madh përkrahësish në Ukrainë, ajo siguroi thuajse gjysmën e votave në zgjedhjet e kaluara presidenciale katër vjet më parë. Njerëzit në Ukrainë dhe përkrahësit e saj janë shumë të kënaqur që kjo lloj barre u hoq nga Ukraina; Çështja Timoshenko ishte bërë pengesë për nënshkrimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Në nëntor, kur filluan protestat, BE-ja tha se nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen për anëtarësimin e Ukrainës në organizatë, pa liruar zonjën Tymoshenko dhe zoti Janukoviç nuk e bëri këtë. Por sapo ajo lirua dhe u shfaq në publik, njerëzit shtruan pyetjen, nëse ky ishte drejtimi nga ata donin të shkonin përsëri, pra tek një politikane e vjetër, me lidhje në të kaluarën. Protestat e muajve të fundit janë udhëhequr nga drejtues të rinj, një gjeneratë e re udhëheqësish, të cilët nuk përballen me pikëpyetjet se si i kanë fituar paratë, apo për ndonjë marrëveshje gazi që ata kanë nënshkruar me Rusinë. Pra, tani kemi të bëjmë me një grup të ri politikanësh të pakorruptuar. Do të jetë interesante të shohim se çfarë do të vendosë ajo, nëse do të kandidojë për presidente, apo jo. Kjo çështje mund të bëhet shumë përçarëse, Kampioni i boksit Klitchko, tha se ai ka në plan të kandidojë për president. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e kanë kujtuar publikisht dhe me kujdes Timoshenkon se ndoshta do të ishte mirë të mjekohej në Gjermani. Kjo ishte edhe arsyeja që ishte kërkuar lirimi i saj nga burgu, mbi baza humanitare, në mënyrë që ajo të shkojë për trajtim mjekesor në Gjermani.

Zëri i Amerikës: Pas një krize të rëndë politike, Ukraina ndodhet në një situatë të vështirë si në fushën e sigurisë, edhe në atë ekonomike. A mendoni që vendi do të ketë qëndrueshmëri politike pas zgjedhjeve?

Adrian Karmazin: Duket, që BE dhe SHBA e pëlqejnë qeverinë e re, kryeministrin e ri. Ai u zgjodh me 371 vota mes 450 votave të mundshme. Kjo më duket mbështetja më e madhe që ka patur një kryeministër ndonjëherë në historinë e pavarësisë së Ukrainës. Pra, SHBA dhe BE kanë besimin se ai dhe qeveria e tij do të ndjekin reformat e nevojshme për të siguruar mbështetjen e nevojshme financiare dhe për ta çuar Ukrainën në rrugën evropiane. Natyrisht, që në këtë proces, që ka shumë gjëra që duhen ndryshuar dhe shumë vështirësi për t’u kapërcyer nga populli i Ukrainës. Qeveria aktuale është cilësuar si qeveri kamikaze, pra duket që ajo nuk do të jetë në pushtet për një kohë të gjatë. Gjithashtu ekziston rreziku i vendosjes së embargos ekonomike nga Rusia, situatë me të cilën u përball edhe presidenti Janukoviç para fillimit të protestave në nëntor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG