Lidhje

Analiza e frymës për diagnostikimin e kancerit në mushkëri

  • Astrit Lulushi

Analiza e frymës për diagnostikimin e kancerit në mushkëri

Analiza e frymës për diagnostikimin e kancerit në mushkëri

Kanceri i mushkërive merr çdo vit 1 milionë e 500 mijë jetë njerëzish. Por, një grup shkencëtarësh në Klinikën Cleveland dhe Universitetin e Illinoit është duke punuar për të zhvilluar një analizë të re për diagnostikim dhe trajtim më të shpejtë dhe të lehtë të sëmundjes.

Nëse diagnostikimi i kancerit të mushkërive do të ishte i lehtë si fryma, kjo së shpejti mund të bëhet realitet. Aparati analizon frymën e një personi dhe identifikon përbërjen e saktë të substancave organike në të.

Peter Mazzone i Kinikës së Klevelandit thotë;

"Ne të gjithë kemi kimikate në frymën tonë dhe kimikatet në frymën e njerëzve me kancer janë pak më të ndryshme se ato pa kancer."

Dr Peter Mazzone udhëheq studimin duke përdorur analizat e frymës për të diagnostikuar kancerin e mushkërive. Ai dhe ekipi i tij kanë analizuar frymën e 229 pacientëve. 92 prej tyre u diagnostikuan me kancer të mushkërive dhe të tjerët kishin rrezik të lartë për t'u prekur prej tij.

"Analiza e frymës mund të jetë në shkallë saktësie 80-85% në zbulimin e kancerit të mushkërive. Ne ishim pak më të saktë kur kërkuam për një tip shumë të veçantë të kancerit të mushkërive dhe ishim në gjendje për të karakterizuar kancerin e mushkërive që ishte në një fazë të avancuar kundrejt një faze të hershme. "

Dr Mazzone thotë se analiza e frymës tregon gjithashtu ecurinë e kancerit. Për shembull, studimi tregon se kanceri i mushkërive që është më agresiv, ka një bio-shenjë të ndryshme sesa kancere e tjerë.

Por nevojiten prova të tjera para se analiza e frymës të kryehet gjerësisht.

"Pajisja duhet përmirësuar në mënyrë që analiza të jetë më e sakte sesa 85 përqind dhe të jetë klinikisht më e dobishme"

Në këtë pikë zhvillimi, analiza mund të përdoret gjatë kontrollit të rregullt shëndetësor për zbulimin e hershëm të sëmundjes. Analiza e frymës është e thjeshtë dhe më pak e kushtueshme sesa analizat e tjera si biopsia dhe skanimi që kryehen në raste të tilla.

Ekspertët po ashtu shpresojnë se analiza e frymës, kur plotësohet nga një skanim CAT, mund të ndihmojë mjekët të bëjnë dallimin mes tumoreve beninje dhe malinje, në mënyrë që trajtimi mund të fillojë herët.

Goditjet e heshtura në tru më të shpeshta sesa mendohej

Goditjet e heshtura ndodhin më shpesh sesa mendohej…dhe ato mund të shpjegohen me humbjen gjithnjë e më shumë të kujtesës gjatë viteve. Sipas statistikave, 11 milionë amerikanë vuajnë çdo vit nga këto goditje të heshtura në tru.

Quhen “goditje të heshtura”, sepse nuk kanë simptoma.

Një goditje e rregullt në tru vret një pjesë të madhe të trurit duke bërë që personi të humbasë aftësinë e të folurit, ose të paralizohet..dhe këto ndodhin në çast. Por goditja e heshtur sjell dëme pak nga pak.

Në çdo goditje të heshtur, një enë e vogël e gjakut mbyllet apo bllokohet nga një pllakëz gjaku. Qelizat rrethuese vdesin. Vetëm një goditje e heshtur ka pak ose nuk ka efekt,…por me kalimin e kohës dëmi shtohet.

Një studimi i ri zbulon se këto goditje mund të fillojnë pas moshës 30 vjeç duke u shtuar në numër çdo dhjetëvjeçar. Duke filluar nga mosha 70 vjeç, një e treta e popullsisë pëson çdo vit të paktën një goditje të heshtur në tru.

Shkencëtarët morrën në shqyrtim rreth 700 persona të moshuar me kujtesë normale. Gjatë skanimit të trurit, vunë re se një e katërta e të skanuarve kishin dëmtim të trurit, shkaktuar nga goditje të heshtura. Ata që kishin këto dëmtime kishin probleme edhe me kujtesën.

Shkencëtarët thonë se duke njohur këto shenja që lenë goditjet e heshtura, tani ata e dinë se çfarë të kërkojnë gjatë skanimit të trurit për të identifikuar njerëzit që kanë pësuar një goditje të heshtur.

Lajmi i mirë është se goditjet e heshtura janë të parandalueshme .. në qoftë se pakësohen faktorët e rrezikut si, mbipesha, presionin e lartë i gjakut, pirja e duhanit dhe diabeti. Pra, me zgjedhje të mira si këto, njeriu mund të ruajë kujtime të mira.

XS
SM
MD
LG