Lidhje

Analizë e re për diagnostikimin e TBC


Analizë e re për diagnostikimin e TBC
Analizë e re për diagnostikimin e TBC

Analizë e re për diagnostikimin e TBC

Një analizë e re mjekësore mund të zbulojë tuberkulozin në më pak se dy orë. Ekspertë të Shëndetësisë thonë se kjo mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e diagnostikimit dhe trajtimit të tuberkulozit, duke shpëtuar njëkohësisht jetën e miliona njerëzve. Kolegu Astrit Lulushi sjell hollësi.

Analiza e deritanishme për diagnostikimin e Tuberkulozit mund të jetë e ngadalshme. Pacientëve u merret spuma ose gëlbaza, e cila dërgohet në laborator ku mbahet, përpunohet, vëshgohet deri sa të shfaqet mikrobi. Mjekët thonë se një analizë e tillë nuk është e besueshme, si dhe kërkon kohë e laborantë të kualifikuar.

Dr Gary Simon kryeson departamentin e sëmundjeve infektive në Universitetin George Washington. Ai thotë se atij i duhen ditë dhe javë për të përfunduar një analizë të tillë e për të përcaktuar diagnozën.

Tani, shkencëtarët thonë se kanë zhvilluar një pajisje për kryerjen e analizës, që merr vetëm 90 minuta për të dhënë rezultatin dhe është më e saktë sesa mënyra e deritanishme.

Dr. David Persing është nënpresident i kompanisë Cepheid me bazë në Kaliforni që prodhon këtë pajisje. Ai thotë se pajisja është e thjeshtë dhe nuk kërkon një laborant a teknik të posaçëm.Provat tregojnë se analiza e re është 98 për qind i saktë.

Dr. Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Shëndetit thotë se kjo mënyrë e re e shpejtë diagnostikimi do të luajë një rol të rëndësishëm në diagnostikimin TBC-në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara. Sipas mënyrës së re, pacienti mund ta marrë përgjigjen e analizën pa u larguar nga klinika, dhe jo si deri tani kur personi pret në shtëpi me ditë a javë, duke u bërë edhe rrezik infektimi për njerëzit për rreth.

Pajisja e re tani duhet të shpërndahet në zonat ku tuberkulozi është më i përhapur.Por kostoja e lartë shihet si një pengesë për përdorimin e pajisjes në vendet në zhvillim. Pajisja e re për kryerjen e analizës së tuberkulozit mund të kushtojë deri në 30.000 dollarë. Por ekspertët thonë se me kalimin e kohës, ky çmim pritet të bjerë. Madje, kompania Cepheid, që prodhon këtë pajisje, thotë se mund t'ua shesë pajisjen zonave të vrafëra për më pak se 10 mijë dollarë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një e treta e njerëzve në mbarë botën janë të infektuar me TBC dhe gati dy milionë njerëz vdesin nga tuberkulozi çdo vit.

Qumështi i gjirit dhe Diabeti i tipit 2

Diabeti i tipit 2 vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara dhe në botë. Por ndërsa dieta dhe ushtrimet fizike dihet se ndikojnë mbi këtë këtë sëmundje, një studim i ri botuar në revistën Neurologji tregon se edhe ushqimi i foshnjeve me qumësht gjiri ndikon në diabetin e tipit 2 tek nënat.

Shumica e mjekëve pediatër rekomandojnë qumështin e gjirit si alternativën më të mirë ushqyese për foshnjen, ndërsa studimi i ri tregon se kjo mund të jetë më mirë edhe për nënën.

Studimi i kryer nga shkencëtarë në Universiteti i Pittsburgut tregon se nënat që nuk i kanë ushqyer me qumësht gjiri fëmijët e tyre, kishin pothuajse dy herë më shumë gjasa për t'u prekur nga diabeti i tipit dy 2 më vonë në jetë, në krahasim me gratë që fëmijët e tyre i kishin ushqyer me qumësht gjiri.

Në studim i përfshinë më shumë se 2 mijë e 200 gra mes moshës 40 dhe 78 vjeç. Të dhënat treguan se për një grua, lindja rrit rrezikun për prekjen nga diabetit më vonë në jetë, por kur kjo grua e ushqen foshnjen me qumësht gjiri, ky rrezik pakësohet deri në nivelin e grave që nuk kanë fëmijë.

Një dietë e shëndetshme dhe ushtrimet fizike e zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2, por, siç thonë ekspertët, pak njerëz e kuptojnë që dhënia e gjirit ndihmon për të tretur dhjamin në barkun e nënës pas lindjes, gjë që gjithashtu ndihmon për të ulur këtë rrezik.

Autorët e studimit thonë se këto rezultate përbëjnë një arsye të mirë për të inkurajuar gratë që t'i ushqejnë foshnjet e tyre me qumësht gjiri, të paktën gjatë muajit të parë.

vizitoni: http://astritlulushi.wordpress.com/

XS
SM
MD
LG