Lidhje

Jeta dhe kariera e këngëtarit Andy Williams


Këngëtari Andy Williams vdiq këtë javë në moshën 84 vjeçare në shtëpinë e tij në Brenson të shtetit Mizuri, pas një beteje të gjatë me kancerin. Zoti Williams, i cili festoi këtë vit 75 vjetorin e pjesëmarrjes në shfaqet artistike, njihej për interpretimin e ngrohtë të këngëve të dashurisë. Ai ishte gjithshtu një yll i njohur në television, ku drejtonte programe të ndryshme javore tepër popullore si dhe programe vjetore me rastin e Krishtlindjeve.


Andy Williams debutoi në klasifikimet e muzikës pop në prill të vitit 1956 dhe pas më pak se një viti zuri vendin e parë me këngën "Butterfly". Ai lindi në Wall Lake të shtetit Ajova dhe e filloi karierën muzikore në moshën 8 vjeçare bashkë me 3 vëllezërit e tij në serialin në radio në Dë Moin të Ajovës. Nga mesi i viteve 1940-të, familja e tij shkoi në Los Angeles të Kalifornisë, ku kuarteti vazhdoi të interpretonte deri sa lufta e Koresë i detyroi ata të shpërndaheshin përkohësisht. Pas luftës, vëllezërit Williams bashkë me komedianen Kay Thompson, korën sukses për 5 vjet me radhë, me koncertet më të shitura në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.

Në vitin 1953, vëllezërit Williams u shpërndanë përgjithmonë dhe pas një viti, Andy nënshkroi kontratën e parë solo me firmën e regjistrimeve Cadence Records. Vitet e tij më të sukseshme ai i kaloi me firmën Columbia Records, duke filluar në vitin 1961. Seriali televiziv i Andy Williams, fitues i çmimit Emmy, në rrjetin NBC vazhdoi transmetimin në periudhën 1962-1971. Në programin e tij, Andy paraqiste artistë të rinj si për shembull Vëllezërit Osmond, të cilët kujtojnë me respekt, Andy Williams si arsyen për suksesin e tyre.

"Andy u bë shkak për suksesin tone, që nga fillimi. Ne u rritëm bashkë, me atë zë të mrekullueshëm. Nëse kishim diçka të përhershme në jetën tone, atë e gjetëm në programin e Andit dhe në punën me të”.

Gjatë viteve 1960-të dhe 1970-të, Andy Williams regjistroi një numër të madh këngësh, mes tyre "Days Of Wine and Roses". Andy Williams regjistroi më shumë se 800 këngë në anglisht, spanjisht, portugalisht, frëngjisht, italiasht, gjermanisht dhe japonisht. Albumet e tij të Krishtlindjeve dhe albumet me këngët e tij më të mira u shitën më së shumti. Popullariteti i Andy Williams vazhdoi edhe shumë kohë pasi ai nuk konkuronte në listat e ndryshme të muzikës. Në vitin 1992, ai hapi teatrin Andy Williams Moon River, ose Lumi i Hënës i Andy Williams në Brenson të Mizurit, ku për vite me radhë jepte shfaqje 6 ditë të javës. Në një rast ai komentoi rreth arritjeve të tij dhe prirjeve të ndryshme në industrinë e muzikës.

"Në kohën time u shitën miliona regjistrime, ndërkohë që biznesi i regjistrimeve është ende shumë i ri. 90 për qind e shumicës së regjistrimeve të mia u shitën; iu shitën fëmijëve dhe të rinjve nga 10 deri në 20 vjeç. Asnjeri nuk pritet të jetë popullor gjatë gjithë kohës".

Andy Williams respektohej për punën e tij bamirëse, nëpërmjet së cilës grumbulloheshin shuma të mëdha për institutin dhe spitalin e kërkimeve për astmën tek Fëmijët dhe për fondacionin përkujtimor Robert F. Kennedy. Në vitin 2007, ai nxori në shitje albumin e fundit të regjistruar në studio me titull “I Don’t Remember Ever Growing Up”. Autobiografia e tij: “Moon River and Me: A Memoir,” u publikua në vitin 2009. Artisti i famshëm Andy Williams vdiq më 25 shtator në moshën 84 vjeçare.
XS
SM
MD
LG