Lidhje

Zëvendësohet mes polemikash anëtari i KQZ


Komisioni qendror i zgjedhjeve

Komisioni qendror i zgjedhjeve

Tre ish deputetë socialistë dhe ish ministri Dritan Prifti bashkojnë votat me të djathtët. Presioni ndërkombëtar nuk e frenon shumicën

Në Shqipëri e djathta në pushtet votoi mbrëmë vonë për heqjen e anëtarit të Komisionit qëndror të zgjedhjeve të propozuar nga LSI dhe e zëvendësoi atë me një kandidaturë të propozuar nga republikanët. Argumentit të parë se zoti Ilirjan Muho duhet të largohej për shkak te barazpeshimit politik pas argimit të Lsi nga qeveria, në mbrëmje ju shtua edhe ai i shkeljeve ligjore në emërimin e tij. Opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa shumica siguroi 73 vota falë 3 ish deputetëve socialist dhe votës së ish ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti.

Deklaratat e përsëritura të ditëve të fundit por edhe dje të ambasadorit amerikan Alexander Arvizu si dhe ajo në mbrëmje e Bashkimit europian, kundër lëvizjeve në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve nuk ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve që shumica e kryeministrit Sali Berisha kishte paralajmëruar. Tonet e përdorura nga përfaqësuesit ndërkombëtar kishin qenë të forta. Ambasadori amerikan kishte theksuar fillimisht se rregullat nuk mund të ndryshoheshin në mes të lojës, ndërsa lidhur më nje votim të mundshëm në parlament kishte deklaruar se nuk mendonte “se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SH BA dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Në mbrëmje ai pati dhe një takim me kryeministrin Sali Berisha pas të cilit ndoqi në sallë seancën parlamentare. Ndërsa dukej se shumica po i shkonte deri në fund nismës së saj ndërhyri edhe Bashkimi europian I cili shprehte shqetësimin e tij dhe ndante “dhe shqetësimin e shprehur nga partnerët e tjerë lidhur me pasojat e mundshme të një votimi në parlament tek besimi i njerëzve në procesin elektoral. Të gjithë krahët politikë kanë përgjegjësi për të siguruar natyrën e paanshme të administratës elektorale”, thuhej në deklaratën e shkurtër të lëshuar nga Brukseli pak orë përpara se përfaqësuesja e vet e Lartë për politikën e Jashtme Catherine Ashton të vizitojë sot paradite Tiranën.

Duket se trysnia e fortë ndërkombëtare vetëm se detyroi shumicën të ndërronte mjetet por jo objektivin të cilin i kishte vënë vetes. Dhe në fakt, në pjesën e dytë të diskutimeve 12 orëshe në parlament, të djathtët e spostuan vëmendjen nga zëvendësimi anëtarit të LSI-së Ilirjan Muho, për shkak të nevojës së ruajtjes së barazpeshimit politik, pas largimit të partisë së zotit Meta nga koalicioni qeverisës, te kërkesa për shkarkimin e tij. Ai u akuzua se kishte shkelur kriteret për emërim pasi kishte qenë I shkarkuar nga detyra si prokuror në vitin 2003 duke qenë se kishte liruar një person të kërkuar nga drejtësia italiane.

Njëra prej pikave të kodit, përcakton se nuk mund të zgjidhet anëtar I KQZ-së dikush që është shkarkuar nga funksionet publike. Por deputetë të LSI-së dhe opozitës, por më vonë edhevetë zoti Muho sqaruan se bëhej fjalë për një masë administrative e cila sipas ligjit për organizimin e Prokurorisë e ka patur efektin e saj vetëm 5 vjet. Edhe për rastin në fjalë për të cilin ishte shkarkuar, zoti Muho ka deklaruar se të gjitha shkallët e gjyqësorit kishin mbajtur të njejtin interpretim si dhe ai, duke e liruar të arrestuarin për llogari të drejtësisë italiane.

Zoti Muho ishte emëruar në KQZ me mbështetjen e të gjitha krahëve. Por kryeministri Sali Berisha tha mbrëmë se ai kërkonte të falur për votën e tij duke deklaruar se nuk kishte patur dijeni për të kaluarën e tij: “Si mund ta mbroni ju këtë rast, në këtë mënyrë. Ai për t’ju nderuar ju duhet të kërkonte dorëheqjen e të kërkonte falje publike që nuk ka dëshmuar në parlament”

Për përfaqësuesit e opozitës nisma e shumicës u konsiderua si një rrezik për zgjedhjet sic u shpreh kryetari I LSI-së Ilir Meta: "Ju po I vini sot kazmën standartit të zgjedhjeve dhe këtë do ta vuajë vendi, do ta vuajë imazhi I tij dhe perspektiva e tij e mëtejshme integrimit europian. Një gjë e tillë nuk mund t bëhet në mënyrë të njëanshme dhe nuk mund të bëhet bazuar bi veprime krejtësisht të errta dhe aspak trasparente. Këtu bëhet fjalë për fatin e vendit dhe nuk bëhet fjalë për fatin e një njeriu".

Dhe kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci u shpreh se nisma ishte në shkelje të plotë të ligjeve: “Jeni në shkelje të plotë të Kushtetutës, jeni në shkelje të plotë të ligjit për të vrarë besimin e partnerëve ndërkombëtare dhe qytetarëve shqiptarë të zgjedhjet. Precedenti është tejet i rrezikshëm. Jeni në shkelje të plotë të procedurave. Kërkojmë ta tërhiqni dhe të gjeni rrugën e duhur nëse keni ndonjë hap për të kryer në të ardhmen”.

Por hapi për ty kryer ishte ai që ishte paralajmëruar dhe që u realizua nga e djathta. Me votim zoti Ilirjan Muho u shkarkua. Shumica kishte zgjidhur edhe problemin e numrave. Dy votat e partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet u garantuan pasi kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli u premtoi se një rezolutë për camërinë e cila mendohet të jetë votuar në parlament në vitin 2004 por që është konsideruar e rrëzuar, do të hyjë në fuqi dhe do të botohet në fletoren zyrtare. Ndërkohë tre ish deputetët socialist të larguar nga grupi i tyre, ashtu si dhe në rastin e emërimit të ministrave të rinj, dhanë sërish votën në favor të shumicës. Këtë herë me ta u bashkua edhe ish ministri i Ekonomisë Dritan Prifti. Opozita u largua nga salla në momentin e votimit, ndërsa nuk munguan caste acarimi të fortë me deputetin Kastriot Islami. Pas përfundimit të seancës Byroja parlamentare ndëshkoi katër deputetë socialistë me motivin se kishin fyer e kërcënuar dhe kishin penguar votimin e deputetëve të tjerë.

Me vendimin e mbrëmshëm të parlamentit, shumica ruajti të pandryshuara raportet jo vetëm në Kqz por edhe në nivelet e tjera të adminstratës zgjedhore, ndërsa nuk është e qartë nëse opozita do të provojë ta ankimojë këtë cështje në gjykatën Kushtetuese.
XS
SM
MD
LG