Lidhje

Kancelarja gjermane të dielën përballë sfidës


Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të përpiqet të fitojë një mandat të tretë në zgjedhjet e së dielës. Sondazhet tregojnë se koalicionin qeverisës e pret një betejë e ashpër në këto zgjedhje, por shumica e analistëve mendojnë se Kancelarja Merkel nuk duhet nënvlerësuar.

Zonja Merkel, kancelarja e parë grua, vazhdon t'i habisë njerëzit që kur u emërua nga zoti Helmut Kohl si anëtare e kabinetit, vetëm një vit pasi kishte hyrë në politikë.
Jacqueline Boysen, biografe e zonjës Merkel

"Ajo nuk e ka filluar në nivel lokal, por si anëtare kabineti. Gjithkush mendoi se kjo ndodhi për shkak se ajo ishte e re, ishte grua, ishte nga Lindja dhe pa lidhje me regjimin e atjeshëm," thotë Jacqueline Boysen, biografe e zonjës Merkel.
"Por gjërat nuk kanë qenë kaq të thjeshta. Ajo provoi se ishte në vendin e duhur, zbuloi se ishte e talentuar dhe se i pëlqente politika."

Zgjedhja e zonjës Merkel si kancelare në vitin 2005 ishte kulmi i një pune 16 vjeçare plot durim, që pasqyronte filozofinë e saj e që përmblidhet në shprehjen e saj të preferuar "hap pas hapi ".

Kjo ka qenë përgjigja e zonjës Merkel në pothuajse të gjitha sfidat, duke përfshirë krizën evropiane të borxhit, që Gjermania e shmangu në një masë të madhe. Kjo është njëra nga arsyet që zonja Merkel gëzon një miratim në publik prej 70 për qind pas tetë vitesh në pushtet.

Gjatë fushatës zgjedhore zonja Merkel ka premtuar të shpenzojë miliarda euro për zgjerimin e sistemit shtetëror të kopshteve dhe çerdheve, rritjen e pensioneve dhe përmirësimin e rrjetit të autostradave.

Megjithatë, me përjashtim të vendimit të saj të papritur në vitin 2011 për të hequr gradualisht reaktorët bërthamorë deri në fund të dekadës, zonja Merkel ka qenë e kujdesshme për të mos i hyrë projekteve të mëdha.

"Zonja Merkel nuk mendon se vizionet politike janë detyrë e kancelarit," thotë Ralph Bollmann, korrespondent i gazetës konservatore Frankfurter Allgemeine Zeitung.

"Ajo është akuzuar për mungesë bindjesh dhe se është tepër pragmatiste. Do të thoja se pikërisht pragmatizmi është bindja e saj e madhe."

Kancelarja shpreson se edhe votuesit do t'i shohin gjërat në të njëjtën mënyrë kur të votojnë të dielën.

Sondazhet e fundit tregojnë se Bashkimi Kristian Demokrat i zonjës Merkel do të marrë 40 ose 41 për qind të votave, ndërsa partnerët e saj të koalicionit, Demokratët e Lirë, 5 ose 6 përqind, vota të mjaftueshme për të formuar një koalicion dhe për të qeverisur edhe katër vjet të tjerë.

Por në qoftë se Demokratët e Lirë bien nën 5 përqindshin e votave që duhen për të hyrë në Parlament, kjo mund ta detyrojë zonjën Merkel të zgjedhë një tjetër partner koalicioni ose t'u japë palëve të tjera mundësinë të bashkojnë forcat për të formuar një qeveri të tyren.

Zonja Merkel i ka paralajmëruar gjermanët se ata mund të kenë në qeveri Partinë ish - komuniste nëse nuk votojnë për koalicionin e saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG