Lidhje

Anija e hapësirës Discovery vendoset në një muze pranë Uashingtonit


Anija për vajtje ardhje në hapësirë Discovery u vendos sot në një muze në periferi të Uashingtonit. Me këtë rast, agjencia e hapësirës NASA ka organizuar një ceremoni katër ditëshe në qendrën Steven Udvar-Hazy, që është pjese e kompleksit të muzeumeve Smithsonian.

Në ceremonitë e sotme merrnin pjesë një numër astronautësh si të ftuar nderi. Ndërkohë që Discovery po vendoset në muze, prej andej do të hiqet anija Enterprize, e cila do të dërgohet në Nju Jork për t’u ekzspozuar atje.

NASA dhe kompleksi i muzeumeve Smithsonian kanë nënshkruar një marrëveshje dekada më parë, në bazë të së cilës, anijet për vajtje-ardhje në hapësirë, që janë simbole të rëndësishme të historisë amerikane, do të ruhen në muze.

Gjatë ceremonive të këtyre ditëve do të ketë shfaqje të ndryshme, fjalime nga astronautë si dhe filma.

Anijet e NASËs për vajtje-ardhje në hapësirë janë hequr nga përdorimi pasi e kanë plotësuar moshën e shërbimit. Discovery ishte anija e parë që u nxorr nga përdorimi në mars të vitit 2011. Të martën, ajo u soll në aeroportin e Dullesit pranë Uashingtonit sipër një avioni të posaçëm Boeing.

XS
SM
MD
LG