Lidhje

Shiten në ankand relike të Olimpikeve të mëparshme të Londrës


Ndër objektet më me interes është një medalje e artë e fituar në Olimpiket e vitit 1908

Një medalje e artë është arritja kulmore për atletët që janë mbledhur në Londër për Olimpiket. Por këto ditë kushdo mund të shtjerë në dorë një medalje të artë, me kusht që të jetë i gatshëm të paguajë 11 mijë dollarë. Bëhet fjalë për një medalje të artë të ofruar për shitje së bashku me plot artifakte të tjera nga Lojërat Olimpike të Londrës të viteve1908 dhe 1948.

Objektet e ofruara për shitje simbolizojnë disa nga momentet e paharrueshme të Olimpikeve të mëparshme në kryeqytetin britanik. Medalja e artë u fitua nga Raymond Etherington-Smith, kapiten i ekipit britanik të vozitjes në garat e 1908.

Ankandi përfshin edhe medalje nga Lojërat e para Ndërkombëtare në Athinë në 1896.

Artifaktet përkujtojnë jo vetëm momente olimpike, por edhe historike për kryeqytetin britanik. Lojërat e vitit 1948 zhvilloheshin pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur shkatërrimet e bombardimeve ishin ende të dukshme gjatë përcjelljes së pishtarit olimpik në qytet. Sophie Churcher është një nga ekspertët e firmës Christie’s që po zhvillon ankandin.

"Ky pishtar u përket Lojërave Olimpike të Londrës në 1948. Ky është pishtari origjinal që u përcoll për një pjesë të itinerarit. Në atë kohë Londra ende mbante gjurmët e luftës, prandaj përcjellja e flakës olimpike u bë në një itinerar pak më të ndryshëm se do të ishte bërë normalisht. Por ky pishtar ishte me të vërtetë një simbol bashkimi për Londrën”.

Në ankand mund të shohësh edhe ndryshimet që ka pësuar silueta e Londrës, nga shekulli i 18, në të 19 dhe në shekullin e 20. Por duket qartë se disa gjëra nuk ndryshojnë. Një preukupim i vazhdueshëm për londinezët gjatë këtyre shekujve ka qenë transporti publik dhe trafiku. Ankandi ofron për shitje afishe të ndryshme dhe reklama të këtyre shekujve që përpiqen të bindin banorët të përdorin trafikun hekurudhor për të mos mbingarkuar rrugët e mbushura me makina.

Për të apasionuarit e vërtetë të transportit publik në Londër ankandi ofron elementin më londinez të këtij trafiku – një autobus të madh të kuq me dy kate. Ky autobus përdorej për transportin publik në qytet në vitin 1966. Ky objekt pritet të tërheqë vëmendje të madhe dhe të shitet për të paktën 45 mijë dollarë.

"Autobusi është elementi që simbolizon më së miri Londrës. Ky është një objekt i mrekullueshëm në gjendje shumë të mirë dhe ai që do ta blejë do të ketë fatin të ngasë nëpër rrugë me të”.

Ka piktura origjinale vaji si dhe plot fotografi. Në to shihen londinezët duke përdorur mjete dhe mënyra nga më origjinalet për të kaluar lumin Tamiz që përshkon mes për mes qytetin.

Askush nuk mund të ulet në fronin e Mbretëreshës Elizabetë, por ata që vijnë në ankand dhe ofrojnë çmimin e duhur, mund të ulen në dy karrike që u përdorën nga të ftuarit që ndoqën Kurorëzimin e Mbretëreshës në vitin 1952.

Nëse nuk ju intereson aq shumë sporti, ndoshta jeni të interesuar për politikën britanike dhe këtë radhë keni rastin të ecni me një hap me ish-kryeministren, Zonjën e Hekurt Margaret Thatcher. Shumëkush mund ta konsiderojë stilin e saj të veshjes si tepër konservator, por specialistët e firmës Christie’s mendojnë se garderoba e saj e ofruar këtu për shitje do të sjellë 10 mijë dollarë.

Kuratorët besojnë se në këto kohë të zymta ekonomike, njerëzit duan të kthejnë sytë nga një periudhë më optimiste, kur kryeqyteti britanik ishte në lulëzim dhe për këtë arsye tërhiqen nga relike të tilla.

Ekspozimi i objekteve do të vazhdojë deri më 3 shtator.
XS
SM
MD
LG