Lidhje

Ankesa edhe për rivotimet në Kosovë


Ankesa edhe për rivotimet në Kosovë
Ankesa edhe për rivotimet në Kosovë

Në Kosovë aktualisht Paneli për Ankesa është duke shqyrtuar 61 ankesa të partive politike por edhe vëzhguesve të pavarur për procesin e rivotimeve të së dielës në pesë komuna të vendit. Ankesat më të shumta janë bërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa tha se kishte dobësi të mëdha, ndërsa rivotimet e së dielës, sipas tij kanë argumentuar faktin se zgjedhjet e 12 dhjetorit janë dëmtuar shumë nga parregullsitë.

Ajo çfarë është argumenti më i fortë është se aty është treguar një diferencë shumë e madhe e votave ndërmjet 12 dhjetorit dhe 9 janarit, diferencë më se 33 mijë votave, prej të cilave vetëm Partisë Demokratike i takojnë mbi 21 mijë vota. Është argumenti më i mirë i abuzimeve që kanë ndodhur përpara”, tha zoti Mustafa.

Partia Demokratike e ka cilësuar si të rregullt dhe të lirë, procesin e rivotimeve të së dielës, të cilat sipas kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçi, ishin në pajtim me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Por, rrjedha e tyre u kritikua nga delegacioni i Parlamentit Evropian që ka vëzhguar zgjedhjet, të cilat sipas këtij delegacioni janë përshkuar nga defekte serioze. Euro parlamentarja Ulrike Lunacek, tha se zgjedhjet janë larg standardeve ndërkombëtare dhe si të tilla ato mund të dëmtojnë edhe proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Sipas rezultateve të deritashme të votimeve për pushtetin qendror, fituese është Partia Demokratike e Kosovës me 32 për qind të votave, ndërsa ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.7 për qind, Vetëvendosja me 12.6 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 11.2 për qind dhe Aleanca Kosova e Re me 7.3 për qind. Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Partia Fryma e Re nuk kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor, meqë të dyja kanë nga 2.2 për qind të votave.

Në këto rezultatet nuk janë përfshirë votat nga komuna e Mitrovicës ku do të ketë rivotime të tërësishme me 23 janar, për shkak të parregullsive të shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Por, as ato rivotime nuk pritet të ndikojnë në renditjen e partive politike por mund të ndikojnë në radhitjen e deputetëve të parlamentit 120 vendesh të Kosovës. Rivotimi në Mitrovicë do të zgjasë edhe procesin e krijimit të qeverisë së re.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin të parat që nga shpalla e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe të parat të parakohshme që nga vitit 1999. Si të tilla ato janë parë si një sprovë për qëndrueshmërinë dhe demokracinë e shtetit të ri.

XS
SM
MD
LG