Lidhje

Anketa, Obama vazhdon të gëzojë përkrahje të gjerë në mbarë botën

  • Zëri Amerikës

Anketa, Obama vazhdon të gëzojë përkrahje të gjerë në mbarë botën

Anketa, Obama vazhdon të gëzojë përkrahje të gjerë në mbarë botën

Një anketë e re ndërkombëtare tregon se Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama vazhdon të gëzojë përkrahje të gjerë në mbarë botën. Por, si Presidenti Obama edhe Shtetet e Bashkuara përballen me një imazh negativ kryesisht në vendet myslimane. Anketa u zhvillua nga Qendra e Hulumtimeve Pew me seli në Washington.

Presidenti Obama përballet me një sërë problemesh në vendin e tij por rezultatet e anketës me 24 mijë të intervistuar nga 22 vende tregojnë se ai gëzon përkrahje të madhe në mbarë botën. Drejtuesi i projektit të anketës Endru Kohut u shpreh kështu:

“Presidenti Obama vazhdon të përkrahet në mbarë botën -- dhe pse përkrahja për të ka rënë dukshëm në Shtetet e Bashkuara. Popullariteti i tij në mbarë botën i ndihmon imazhit të Shteteve të Bashkuara. Mendimi për Shtetet e Bashkuara është shumë më pozitiv më 2010 nga se ç’ishte në kohën e Presidentit Bush.”

Megjithatë, mbështetja për Presidentin Obama mes myslimanëve ishte më e lartë në anketën e zhvilluar vitin e kaluar, në kohën kur ai iu drejtua botës islame me një fjalim në Kajro.

“Jam krenar që ju sjell dashamirësinë e popullit amerikan dhe një përshëndetje paqeje nga komuniteti islam në vendin tim: selam alejkum.”

Por, anketa e qendrës Pju tregon se myslimanët janë zhgënjyer me zotin Obama gjatë vitit të kaluar. Ka pasur ndryshime në Egjipt, ku përqindja e myslimanëve që thonë se kanë besim te Presidenti Obama ka rënë nga 41% në 31%. Në të vërtetë, niveli i besueshmërisë dhe përkrahjes së zotit Obama ka rënë në mesin e popujve myslimanë—përveç Indonezisë, ku zoti Obama ka jetuar gjatë fëmijërisë.

Shumica e njerëzve të anketuar në gjashtë vendet me shumicë myslimane të përfshira në studim cilësojnë Shtetet e Bashkuara si kërcënim ushtarak. Gjithashtu, zoti Obama është vlerësuar dobët për angazhimin e tij për luftërat në Irak dhe Afganistan, si dhe për trajtimin e çështjes së Iranit. Mirëpo, ka një çështje tjetër akoma më të mprehtë.

“Vlerësimin më të dobët ai e merr për trajtimin e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve,” thotë Kohut.

Zoti Obama dhe politikat e tij shihen me sy më të mirë jashtë botës myslimane, në veçanti në Europën Perëndimore.

“Mendimi i përgjithshëm për Barak Obamën mbetet kryesisht pozitiv në shumicën e vendeve jo-myslimane. Mesatarja kombëtare e besueshmërisë së Obamës ishte 71% jashtë botës islame, ndërsa përkrahja e përgjithshme e politikave të tij ishte 64% në botën joislame.”

Njerëzit në mbarë botën kanë lavdëruar zotin Obama për trajtimin e krizës ekonomike botërore, edhe pse shumë prej tyre u shprehën të pakënaqur me gjendjen e ekonomisë.

Ish-sekretarja e Shtetit Madllin Ollbrajt është bashkëkryesuese e projektit të qendrës Pju.

“Është e qartë se përkrahja për Presidentin Obama është shumë e rëndësishme dhe pozitive. Treguesit e përkrahjes ndaj amerikanëve kanë ndikim të madh, jo vetëm pse kemi dëshirë që njerëzit të na duan, por mbështetja ndikon në mënyrën se si ne realizojmë politikat tona në favor të popullit amerikan në kushtet e globalizmit.”

Anketa ka nxjerrë përfundimin interesant se, me gjithë kritikat ndaj politikave të Shteteve të Bashkuara për çështjet ndërkombëtare, imazhi i botës për Shtetet e Bashkuara mbetet pozitiv.

XS
SM
MD
LG