Lidhje

Anketë për personalitetet e artit

  • Jeff Seldin

Ndërsa Amerika përhap nëpër botë veprat e personaliteteve të saj, një anketë e re opinioni tregon se kur bëhet fjalë për disa persona të famshëm, amerikanët do të dëshironin të dëgjonin më pak prej tyre

Filmat, muzika dhe forma të tjera argëtimi që kanë në qendër emra të njohur janë mes eksporteve më të shquara të Amerikës. Por edhe ndërsa Shtetet e Bashkuara përhapin nëpër botë veprat e personaliteteve të tyre, një anketë e re opinioni tregon se kur bëhet fjalë për disa persona të famshëm, amerikanët do të dëshironin që ata të iknin.

Një seancë tjetër fotosh i figurave të njohura televizive, motrave Kardashian, këtë herë në New York.

Por shumë amerikanë nuk kanë të njëjtat ndjenja për motrat. Klani Kardashian është në krye të listës së personaliteteve të njohura nga të cilët amerikanët janë lodhur. 70 për qind e amerikanëve të rritur shpresojnë të dëgjojnë më pak prej tyre gjatë vitit të ri.

Në vend të dytë të anketës, në të cilën morrën pjesë mbi dy mijë të rritur, është aktorja Lindsi Lohan.

“Për mua kjo nuk është lojë, është jeta dhe kariera ime”.

Kështu u shpreh ajo para një gjykatësi 2 vjet të shkuara kur u ndesh me probleme. Tani 68 për qind e amerikanëve thonë se edhe ata nuk po qeshin me Lindsin.

Më pas vjen 6-vjeçarja Alana, e njohuir si 'Honey Boo Boo' dhe nëna e saj, June Shannon. Dy të tretat e të anketuarve thonë se nuk duan të dëgjojnë më prej tyre.

Personalitete të tjera në këtë listë janë këngëtari i njohur adoloshent Justin Beiber, këngëtari i muzikës R&B, Chris Brown dhe aktorja e filmit Twilight, Kristen Stewart, e cila bëri bujë sepse tradhëtoi të dashurin.

Ideja e hartimit të listës së personaliteteve tepër të ekspozuar ishte e korporatës Zebra Pen, e cila prodhon lapsa. Chris Farley, drejtori i marketimit të kësaj kompanie, foli me Zërin e Amerikës në Skype.

“Ne menduam se do të ishte diçka interesante, që duke luajtur me fjalët me shkrim, të mësonim se cilët personalitete do të ishin në listën e të padëshiruarve dhe cilët personalitete tërhoqën gjithë vemendjen e shtypit”.

Dhe jo të gjithë personalitetet e vënë në shënjestër jetojnë në Hollywood. Pak prej tyre kanë lidhje në kryeqytetin e vendit Uashington, mes tyre edhe heroi i luftës dhe ish drejtor i CIA-s, David Petraeus.

“Senati e konfirmoi këtë njeri të mirë pas asnjë votë kundër”, tha në atë kohë presidenti Bush.

Por tani që janë bërë të ditura hollësitë e marrëdhënieve jashtëmartesore me biografen e tij, 20 për qind e amerikanëve thonë se janë ngopur me të.

Dhe të mos lemë pa përmendur manjatin e pasurive imobiliare, Donald Trump, i cili vazhdimisht vuri në pikpyetje nëse Presidenti Barack Obama ka lindur në Shtetet e Bashkuara, kërkesë kjo e domosdoshme për një president.

“Presidenti ynë më në fund bëri publike certifikatën e lindjes”, u shpreh yoti Trump.

Më shumë se 50 për qind e amerikanëve të pyetur dhe me arsim të lartë thanë se do të donin që vitin e ardhshëm të dëgjonin më pak prej tij.
XS
SM
MD
LG