Lidhje

Anketë për prirjet e myslimanëve në SHBA


Anketë për prirjet e myslimanëve në SHBA
Anketë për prirjet e myslimanëve në SHBA

Që nga sulmet terroriste të vitit 2001 në Nju Jork dhe Uashington, shumë amerikanë janë të shqetësuar nga shtimi i ndjenjave ekstremiste mes myslimanëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Një anketë e re mbi myslimanët amerikanë sugjeron se 10 vjet pas sulmeve terroriste ekziston një mbështetje shumë e vogël për ekstremizmin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jerome Socolovsky njofton nga Uashingtoni.

Anketa e zhvilluar nga organizata Forumi për Fenë dhe Jetën Publike u publikua pak kohë përpara 10-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit dhe në ditën e parë të festës së Bajramit të Madh e cila shënon fundin e muajit të Ramazanit.
Sipas anketës, në të cilën morën pjesë më shumë se 1 mijë myslimanë amerikanë, vetëm një për qind thanë se shpërthimet vetëvrasëse dhe forma tjera të dhunës kundër civilëve janë veprime të justifikuara për të mbrojtur fenë Islame nga armiqtë e saj.
Anketuesi Gregory Smith, thotë se rezultatet tregojnë mbështetje shumë të vogël për ekstremizmin në mesin e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.


“Shumica dërrmuese thonë se veprimet, si sulmet vetëvrasëse me bombë nuk mund të justifikohen. Ata thonë se nuk i mbështesin pikëpamjet e al-Kaidës. Ne gjithashtu gjetëm se myslimanët në Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqur me jetën e tyre. Ata janë të kënaqur me komunitetet e tyre. Ata janë të kënaqur me drejtimin në të cilin po shkon vendi”.

Zoti Smith thekson se 81 për qind e të anketuarve thanë se sulmet vetëvrasëse nuk janë të justifikuara. Kjo shifër është dy herë më e lartë se ajo e anketave të ngjashme në disa vende të Lindjes së Mesme.
Anketa gjithashtu tregon se rreth dy të tretat e myslimanëve amerikanë thonë se ata besojnë se mund të gjendet një mënyrë që Izraeli të ekzistojë dhe të drejtat e palestinezëve të merren parasysh. Studiuesit thonë se kjo shifër është dukshëm më e lartë se sa rezultatet e anketave mbi të njejtën temë në mesin e myslimanëve në Lindjen e Mesme.
Anketa tregon se shumë myslimanë amerikanë thonë se atyre u pëlqen komuniteti i tyre. Gregory Smith thotë se një sërë pyetjesh mbi zakonet e jetesës në fushat si riciklimi, ndjekja e ngjarjeve sportive dhe rrjetet sociale në internet sugjerojnë se ata kanë ngjashmëri me pjesën tjetër të publikut amerikan.

“Megjithatë, ne nuk duhet të minimizojmë ose të harrojmë se anketa gjithashtu tregon se ka disa sfida të rëndësishme me të cilat përballen myslimanët në Shtetet e Bashkuara”.

Studiuesit theksojnë se shumica e të anketuarve thanë se pas sulmeve terroriste të vitit 2001 jeta është bërë më e vështirë për myslimanët amerikanë. Rreth një në pesë vetë thanë se ata janë ndaluar për kontrolle më të hollësishme nga personeli i sigurisë në aeroporte.
Megjithatë, gati gjysma thanë se udhëheqësit myslimanë në Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë aq sa duhet për të folur kundër ekstremistëve islamikë.

XS
SM
MD
LG