Lidhje

A mundet gratë të kenë gjithçka?

  • Keida Kostreci

Anne-Marie Slaughter e parashikonte që eseja e saj në revistën the Atlantic, do të ngjallte reagime. Por ekspertja e politikës së jashtme dhe Drejtoresha e parë grua e Planifikimit të Politikave në Departamentin e Shtetit, nuk ishte përgatitur për stuhinë që do të shkaktonte shkrimi i saj i titulluar “Pse gratë ende nuk mund të kenë gjithçka”. Zonja Slaughter i është rikthyer karrierës të saj si profesore në universitetin prestigjioz Princeton, pasi mori vendimin të tërhiqej nga posti i lartë në Departamentin e Shtetit, për të qenë më e pranishme në jetën e fëmijve. Ajo bisedoi me kolegen Keida Kostreci për sfidat me të cilat ende përballen gratë, por edhe burrat që duan të realizojnë të gjithë ëndrrat e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe se çfarë ndryshimesh mund t’i bëjnë ato më të mundshme.

Zëri i Amerikës: Nuk besoj se e ekzagjerojmë po të themi se artikulli juaj shkaktoi një stuhi. Cila mendoni se ishte arsyeja që eseja juaj ngjalli aq shumë interes saqë numri i revistës që e kishte atë në kopertinë ishte më i shituri në historinë e saj?

Anne-Marie Slaughter: Ka shumë arsye. Një arsye ishte se një brez i ri grash, të grupmoshës nga 25-35 vjeç po përpiqej t’i zgjidhte këto probleme vetë dhe nuk ishin shumë të kënaqura nga shembujt që kishin përreth. Ato ishin rritur me bindjen se janë të barabarta me burrat, me besimin se mund të arrijnë çdo gjë dhe tani janë në fazën kur po mendojnë për martesën dhe për të krijuar familje, por njëkohësisht duan të bëjnë përpara me karrierën. Ato nuk janë shumë të sigurta si do ta arrijnë një gjë të tillë dhe nuk i bindin këshilla të tilla si “merr një dado, përpiqu ta zgjidhësh”. Këto nuk janë përgjigje të mjaftueshme. Prandaj unë e dija që brezi i ri do të reagonte fuqishëm ndaj këtij artikulli. Ajo që nuk kisha parashikuar ishte sesa diskutime do të hapeshin në familje, në vendet e punës. Mendoj se një arsye është se në përgjithësi, si burrat si gratë po ndjejnë peshën e stresit, ndjejnë se vetëm po punojnë gjithë kohës dhe nuk bëjnë atë lloj jete që duan. Pastaj sigurisht që hapi debate mes nënave dhe vajzave të tyre, grave më në moshë dhe atyre më të reja për këto çështje.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet që ju ngrini ka të bëjnë me mënyrën sesi funksionon sistemi, që kur një grua ose një nënë nuk merr dot pjesë për shembull në një telekonferencë, ajo shihet si dikush që bën më pak për shkak të detyrimeve familjare. Ju paraqisni disa sugjerime se si të kapërcehen këto perceptime?

Anne-Marie Slaughter: Po, dhe unë nuk them që nuk mund të kesh edhe karrierë edhe familje, sepse sigurisht që mund t’i kesh, por që kjo të realizohet, duhen ndryshime të mëdha sociale dhe një prej tyre është pikërisht ajo që ka të bëjë me fleksibilitetin në vendin e punës në mënyrë që prindërit të mund të merren me fëmijët dhe të përballojnë karrierën. Por vendet tona të punës janë ndërtuar mbi bazën e një realiteti sipas të cilit personi që punon nuk merret njëkohësisht edhe me fëmijët. Ndryshimet që unë propozoj, që nuk janë edhe aq të vështira, do të sillnin përmirësime të mëdha për prindërit, si gra edhe burra që të mund të ushtrojnë ndikim tek sistemi, që të mund të thonë “jo, do të lidhem me telefon nga shtëpia” ose “do të shkoj në shtëpi tani por do të lidhem me internet më vonë”, apo që do të punojnë një ditë nga shtëpia. Po ashtu duhet të ndryshojë botëkuptimi për këto çështje. Unë sjell shembullin e dikujt që zgjohet herët, bën vrap për dy orë sepse po stërvitet për një maratonë dhe të gjithë e vlerësojnë si një njeri me disiplinë, motivim dhe që po bën gjëra të rëndësishme. Por dikush tjetër që ngrihet herët për t’u kujdesur për fëmijët, për t’i nisur në shkollë dhe pastaj shkon në punë dhe rri shumë vonë, nuk shihet me të njëjtin sy. Prandaj duhet që të ndryshojmë vlerat tona, mënyrën se si e shohim suksesin, një jetë të balancuar dhe fleksibilitetin, duke e parë me të njëjtin sy siç shohim një atlet.

Zëri i Amerikës: Arritjet më të mëdha të kësaj natyre në Shtetet e Bashkuara janë bërë përmes legjislacionit dhe më pas kultura, botëkuptimi e kanë pasuar. Por e vërteta është se shumica e udhëheqësve dhe drejtuesve – dhe nuk flas vetëm për role të larta siç është për shembull Sekretarja e Shtetit por kudo – janë burra. Si mund të sjellësh ndryshim në një ambjent të tillë, duke rritur numrin e grave që marrin vendime dhe njëkohësisht të ndryshosh botëkuptimin e burrave?

Anne-Marie Slaughter: Një nga reagimet që unë nuk e prisja të ishte aq i madh, ka qenë nga burrat. Ka shumë burra, baballarë apo bashkëshortë të cilëve nuk u pëlqen ideja që personi që shpenzon më shumë kohë gjatë ditës, apo punon më shumë ditë në zyrë, konsiderohet më i përkushtuari. Ka burra që duan ta ndryshojnë këtë lloj psikologjie, që duan më shumë fleksibilitet, duan të luajnë rol më të plotë si prindër, të mbështesin gratë e tyre, por edhe të jenë edhe vetë më të angazhuar me fëmijët. Nëse normat kulturore ndryshojnë, një numër i madh burrash do të përfitonin nga kjo. Po ashtu burrat e rinj kanë një rol kritik sepse ata po martohen me gra që do të punojnë dhe të dy do të kenë karrierë, prandaj shumë prej tyre duhet të përgatiten se cfarë të kërkojnë kur hyjnë në tregun e punës.

Zëri i Amerikës: Kritika ndaj artikullit tuaj pati edhe nga feministet, ashtu si edhe nga gra që punojnë në qeveri, përfshirë Departamentin e Shtetit. A e prisnit këtë lloj reagimi, këto kritika të ashpra nga këto grupe?

Anne-Marie Slaughter: E dija që do të kritikohesha ashpër nga gratë e brezit tim, ose një brez përpara që do të thoshin se unë kisha tradhëtuar çështjen e gruas. Unë e konsideroj veten një feministe krenare. Gjithë jetën time kam besuar se burrat dhe gratë duhet të kenë shanse të barabarta. Unë vetë jam përpjekur ta realizoj një ëndërr të tillë dhe të jem një shembull. Megjithatë unë e prisja që shumë nga këto gra do të thonin, që unë nuk duhej të pranoja se ky sistem nuk funksionon, se duhen bërë zgjedhje të tjera pasi sipas tyre nëse e pranojmë një gjë të tillë, burrat nuk do të punësojnë më gra dhe gratë e reja do të dekurajohen. Por nuk ishte e drejtë që të vazhdoja kështu. Së pari, gratë e reja nuk do të dekurajoheshin pasi ato e kuptojnë kur u thua të vërtetën dhe së dyti e kemi kaluar tani atë periudhën kur burrat nuk merrnin gra në punë. Burrat nuk kanë rrugë tjetër, pasi shoqërisë sonë i duhet të përdorë të gjithë krahun e punës. Ajo që më befasoi ishte se shumë njerëz menduan se unë po ankohesha për veten time, e interpretuan artikullin sikur unë po thoja që nuk i arrija dot të gjitha, dhe isha e zhgënjyer. Kjo nuk është e vërtetë. Unë kam realizuar gjithçka që kam dashur. Por duke punuar në Uashington, kuptova se ç’do të thotë kjo lloj strukture për burrat dhe gratë të cilëve u duhet të përshtaten me orarin që i caktojnë të tjerët. Nga kjo kuptova së për mua fleksibiliteti ka qenë thelbësor për të arritur ekuilibrin e duhur. Unë jam njëra prej tyre që ka qenë me fat. Por nëse duam të realizojmë ëndrrat për të gjithë burrat dhe gratë, duhet të bëjmë disa ndryshime.

Zëri i Amerikës: Si arrini ta ndani faktin që gratë në Shtetet e Bashkuara kanë arritur një nivel suksesi që mungon në një pjesë të mirë të botës – mjaft të kujtojmë që Sekretarja e Shtetit është grua – nga e vërteta tjetër që çështjet që ngrini ju, janë reale për shumë gra profesioniste?

Anne-Marie Slaughter: Së pari më duhet të them se në përgjithësi historia e të drejtave të grave në Shtetet e Bashkuara është jashtëzakonisht pozitive. Eshtë e vështirë t’u shpjegosh grave të reja se sa e ndryshme është jeta e tyre nga ajo për shembull e nënës sime, e cila nuk mundi të studionte për mjekësi në Belgjikë, sepse do të martohej. Po ashtu në vitet e fëmijërisë sime, ideja që do të vinte një ditë që të kishim një Sekretare Shteti, e jo më tre, ishte e paimagjinueshme. Pra kemi pasur një ndryshim të jashtëzakonshëm në një kohë të shkurtër. Kjo duhet të na bëjë krenarë dhe unë nuk do ta kisha shkruar artikullin nëse nuk do të mendoja që mund të realizojmë një ndryshim tjetër. Por gjithsesi ne kemi për të mësuar nga vendet e tjera. Disa vende bëjnë një punë më të mirë në mbështetjen e grave si prindër. Eshtë e vërtetë që kemi shumë gra udhëheqëse, por 50 për qind e të diplomuarve janë femra dhe 50 për qind e tyre hyjnë në tregun e punës dhe në postet drejtuese vetëm 15-25 për qind janë femra. Grave u duhet të bëjnë zgjedhje të tilla që i përjashtojnë nga grupi i drejtuesve të mundshëm. Nga ana tjetër vendet e tjera kanë strukturë që mbështesin prindërit por diskriminimi është i lartë në nivelet e larta drejtuese, pra ne të gjithë kemi c’të mësojmë nga njëri tjetri.

Zëri i Amerikës: Nuk ndodh shpesh që një grua që e ka krijuar emër si eksperte në politikën e jashtme të trajtojë çështje të tilla që kanë të bëjnë me barazinë gjinore. Mendoni se është kjo një nga arsyet që shkrimi juaj ngjalli kaq interes?

Anne-Marie Slaughter: Mendoj se meqenëse unë nuk isha studiuese e barazisë gjinore, e çështjeve sociale, njerëzit nuk prisnin që unë ta ngrija një çështje të tillë. E vërteta është se shumë gra të brezit tim që janë eksperte të së drejtës, ose marrëdhënieve ndërkombëtare i janë distancuar temës së të drejtave të gruas, sepse ato nuk konsideroheshin aq serioze dhe të rëndësishme saqë të ndërtoje një karrierë. Prandaj fakti që unë isha eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare pati ndikim. Mendoj se ky fakt e bëri cështjen të kishte jehonë me një grup më të madh grash. Por mbi të gjitha dhe sidomos ata që më njohin, u befasuan.

Zëri i Amerikës: Si mund të ndikojë ky lloj debati në Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar në përparimin e luftës kundër diskriminimit të grave në vende më pak të zhvilluara?

Anne-Marie Slaughter: Së pari duhet të them që akoma ka diskriminim real në Shtetet e Bashkuara. Për çdo dollar që fitojnë burrat, gratë fitojnë 78 cent. Por e kuptoj se ç’doni të thoni. Sekretarja Clinton ka bërë shumë përpjekje për ta ngritur çështjen e grave që jetojnë në kushte të tmerrshme në shumë vende të botës, ku edhe të lejohen të punojnë do të ishte një hap i madh përpara. Megjithatë, mua më befasoi jashtë mase reagimi ndërkombëtar ndaj këtij artikulli, në Indi, në Brazil, në Australi, në Kore, në Japoni dhe vende të tjera. Pra disa nga çështjet që unë ngre bëjnë jehonë në shumë vende, përfshirë ato ku gratë kanë edhe shumë probleme të tjera. Prandaj mendoj se megjithëse ka shumë çështje të tjera më themelore ku duhet të përqendrohemi sesa ekuilibri i jetës familjare dhe karrierës, ideja se nëse duam që të realizojmë barazinë, atëherë duhet të kemi parasysh si detyrimin për t’u kujdesur për familjen, ashtu edhe karrierën dhe ekuilibri mes tyre ndoshta është diçka që rezonon në të gjitha shoqëritë.



XS
SM
MD
LG