Lidhje

Operacione të shumta antidrogë në Itali dhe Shqipëri


Roja bregdetare italiane dhe greke dhe Misioni Europian i Kufijve “Frontex” bllokuan në një operacion ndërkombëtar në Detin Jon rreth 1 tonë e gjysëm marijuanë. Sipas burimeve zyrtare të rojës bregdetare italiane gjatë operacionit u arrestuan katër trafikantë dhe u sekuestrua një motoskaf i shpejtë.

Operacioni u kordinua nga toka deti, dhe nga ajri nga Qendra e Koordinimit Ndërkombëtar "Triton", e themeluar në Komandën Detare Ajrore Operacionale të “Guardia di Finanza” në Itali. Polica italiane vlerëson se nëse lënda narkotike do shitej në tregun ilegal të narkotikëve në Itali do të kapte një vlerë prej rreth 10 milionë euro.

Policia italiane tha se që prej 6 prillit ishte vënë në dijeni nga polica shqiptare lidhur me trafikimin e mundshëm të kësaj sasie droge nga brigjet shqiptare. Në një tjetër operacion në rajonin e Abruzos policia italiane tha se bllokoi rreth 2 tonë marijuanë. Sipas burimeve zyrtare policore lënda narkotike kishte mbërritur në brigjet italiane të Puglias me motoskafë nga brigjet shqiptare dhe më pas ishte ngarkuar në një kamion ku edhe u bllokua.

Ndërkohë në zonën e Skraparit në Shqipëri burime jo zyrtare kanë pohuar një operacion në zhvillim e sipër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ku vlerësohet nga burime paraprake se është bllokuar një sasi prej rreth 5 tonë marijuanë , bime e tharë, dhe rreth 2 mijë bimë narkotike të porsambjella.

Sipas burimeve policore dy persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë në hetim dhe dyshohet se magazina ku u zbulua lënda narkotike përdorej si laborator për përpunimin e marijuanës dhe kultivimin e fidaneve. Policia shqiptare tha se edhe në qytetin e Sarandës, në Jug të Shqipërisë u bllokua sot një sasi narkotikësh me destinacion Greqinë.

Policia tha se arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim dy të tjerë.

Operacionet e shumta policore me tonelata marijuane të bllokuar në Shqipëri dhe vendet fqinje flasin për përmasat e kultivmit të marijuanës vitin e shkuar, pothuajse në të gjitha Qarqet e Shqipërisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG