Lidhje

Koalicioni anti-ISIS bën plane për të ardhmen


Në një kohë që fushata anti-ISIS në Irak po shënon përparim, kanë filluar diskutimet për hapat e ardhshme për të sprapsur këtë organizatë terroriste nga bazat e fundit që kontrollon. Sekretari i Shtetit John Kerry ka thirrur një mbledhje me temën e luftës kundër ISIS, një ditë pasi ministra të mbrojtjes nga më shumë se 30 vende diskutuan dhe ranë dakord mbi një kurs veprimi.

Luftëtarët e Shtetit Islamik janë nën presion të vazhdueshëm pasi forcat irakiane po forcojnë rrethimin ndaj Mosulit, qyteti më i madh irakian nën kontrollin e ISIS.

“Askush nuk mund të thotë në këto momente se nuk ka ndryshuar situata. ISIS është dëbuar nga thuajse gjysma e territorit që dikur kontrollonte në Irak,” - tha Sekretari i Shtetit.

Ministrat e mbrojtjes të angazhuar në fushatën anti-ISIS u takuan me komandantë të forcave amerikane në Lindjen e Mesme për të diskutuar si mund të kontribuonte secili në fushatën për të marrë qytetin e Rakas, që funksionon si kryeqytet i territorit të Shtetit Islamik si dhe për marrjen e Mosulit.

Gjeneral Joseph Votel, Komandant i Komandës Qendrore Amerikane

“Nuk duhet ta nënvlerësojmë sa përgatitje kërkohet për të organizuar një operacion të tillë kundër një qyteti kaq të madh, me dy milionë banorë. Bëhet fjalë për një hapësirë të gjerë gjeografike, prandaj duhet të jemi të përgatitur,” thotë Gjenerali amerikan Joseph Votel.

Mposhtja e Shtetit Islamik nuk mbaron thjesht me marrjen e qyteteve. Ata që janë larguar për të mos jetuar nën ISIS, kanë nevojë për një vend të sigurtë ku të kthehen.

“Gjatë bisedimeve tona, në pjesën më të madhe të kohës u përqëndruam në ato që do të ndodhin pasi të dëbohet ISIS nga Mosuli. Folëm për planet e stabilizimit, rindërtimit, etj,” tha Sekretari i Shtetit Ash Carter.

Megjithëse ISIS vazhdon të humbasë territor në Irak dhe Siri, lufta nuk do të mbarojë thjesht me rënien e të ashtu-quajturit “kalifat”.

“Nuk mund ta kontrollojmë plotësisht, mund ta kufizojmë, ta mundim në disa zona, por ISIS nuk do të zhduket plotësisht,” thotë analisti Anthony Cordesman.

Ekspertët thonë se qindra ekstremistë pritet t’i shpëtojnë fushatës dhe të shpërndahen dhe sulmet në pika të ndryshme të globit ka gjasa të vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG