Lidhje

Konferencë kundër terrorizmit


Në cilësinë e kryesisë së radhës të OSBE-së, Gjermania po organizon një konferencë që mbledh së bashku ekspertë ndërkombëtarë kundër terrorizmit. Pjesëmarrësit do të shqyrtojnë masat konkrete për të parandaluar radikalizimin e të rinjve dhe pjesëve të tjera të shoqërisë në vendet anëtare të OSBE-së dhe më gjerë.

Në Berlin ka filluar punimet konferenca e OSBE-së kundër terrorizmit. Vendet pjesëmarrëse do të diskutojnë në lidhje me radikalizimin e të rinjve, grave dhe vajzave, për të gjetur një përgjigje me veprime konkrete ndaj këtij fenomeni të ri.

“Është e qartë për të gjithë ne se terrorizmi global është një ndër sfidat më të mëdha kolektive. Terrori nga grupe si Shteti Islamik ka në objektiv këdo që dëshiron të jetojë në një shoqëri të lirë pa presione nacionaliste apo fetare, qoftë brenda OSBE-së, në Lindjen e Mesme, Bruksel, Paris, Stamboll, Tunizi dhe Beirut. Është terror ndaj të krishterëve, ateistëve, hebrenjve dhe myslimanëve. Ka përmasa fatale dhe rrënjësore”, thotë Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Sipas ministrit të brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, radikalizimi nuk është i lindur.

“Fokusi i kësaj konference është parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit të dhunshëm. Ky është aspekti që na ndikon veçanërisht. Cilat janë bazat për ekstremizmin dhe për urrejtjen për demokracinë? Askush nuk lind radikal. Radikalizimi është një proçes, si djathtas, majtas, apo me ekstremizëm fetar; modeli mbetet i njëjtë. Nuk ka një rrugë të caktuar apo një arsye të vetme për t’u radikalizuar.”

Në këtë konferencë të organizuar nga kryesia gjermane e OSBE-së, marrin pjesë mbi 300 ekspertë, si dhe përfaqësues të lartë të OKB-së dhe Këshillit të Europës, që do të diskutojnë në veçanti për rolin e rinisë në kundërshtimin e radikalizimit. Konferenca do të mbyllë punimet nesër.

XS
SM
MD
LG