Lidhje

DASH: Shteti Islamik, rreziku më i madh global


Kërcënimi i terrorizmit global po bëhet gjithnjë e më i decentralizuar me grupe si Shteti Islamik që po përhapin tentakulat në rajone, përfshirë Azinë Juglindore, Kaukazin Verior në Rusi dhe Afrikën, tha Departamenti i Shtetit në raportin vjetor për terrorizmin.

Departamenti i Shtetit tha se Shteti Islamik vazhdoi të ishte kërcënimi më i madh në shkallë globale vitin e kaluar.

Në raport thuhet se ndërsa disa nga forcat e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak u dobësuan në gjysmën e dytë të vitit 2015, luftëtarët e këtij grupi terrorist, arritën të ndërmarrin një sërë sulmesh në vende të tjera, përfshirë Francën dhe Turqinë.

Shqipëria

Në kapitullin e raportit të anti-terrorizmit për Shqipërinë, thuhet se vendi ishte një përkrahës i përpjekjeve kundër terrorizmit në vitin 2015 dhe vazhdoi pjesëmarrjen në Koalicionin Global për të luftuar ISIL-in, duke dhuruar sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni për forcat Peshmerga në Irakun verior.

Përsa i takon legjislacionit, Shqipëria parashikon dënime për aktet e terrorizmit, financimin e terrorizmit, grumbullimin, tranferimin dhe fshehjen e fondeve që financojnë terrorizmin; transaksionet me personat në listën e sanksioneve të OKB-së; rekrutimin dhe stërvitjen e personave për kryerjen e akteve terroriste; dhe ngritjen, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste.

Në raport thuhet se korrupsioni, i kombinuar me një sistem drejtësie që funksionon dobët, vazhdoi të pengojë përpjekjet për të vendosur rend në të gjitha nivelet në Shqipëri.

Kosova

Lidhur me Kosovën, raporti i Departamentit të Shtetit thotë se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik është rritur gradualisht atje që nga konflikti i vitit 1999, i nxitur pjesërisht nëpërmjet financimit nga organizatat e huaja që predikojnë ideologji ekstremiste. Rreth 250 nga 300 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, thuhet në raport, kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in ose Frontin el-Nusra, nga të cilët rreth 50 janë vrarë.

Grupet e dhunshme ekstremiste kanë përdorur në mënyrë aktive mediat sociale për të përhapur propagandë dhe rekrutuar njerëz, thuhet në raport. Në vitin 2015, në Kosovë nuk ka patur incidente terroriste, edhe pse policia ka arrestuar të dyshuar për planifikimin e sulmeve të tilla. Në shtator, thotë raporti, Qeveria e Kosovës miratoi një plan gjithëpërfshirës strategjie dhe veprimi për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Sipas raportit, aftësia e Kosovës për të ushtruar autoritetin e saj në veri është përmirësuar që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por të dy vendet ende nuk e kanë zbatuar plotësisht marrëveshjen.

Edhe pse Kosova dhe Serbia fqinje zakonisht nuk bashkëpunojnë në çështjet e kundër terrorizmit, thotë DASH, qeveritë kanë një plan për Menaxhimin e Integruar të Kufirit që nga viti 2013 dhe kanë marrë pjesë në trajnime të përbashkëta të sponsorizuara nga SHBA. Kosova është anëtare e Koalicionit Global për Luftën kundër ISIS-it dhe ka ndërmarrë hapa për të mbështetur përpjekje të ndryshme brenda aftësive të saj. Ajo është fokusuar kryesisht në frenimin e luftëtarëve të huaj terroristë, si dhe në frenimin e financimeve për grupet terroriste.

Kosova ka një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse që mbulon të gjitha aspektet penale që lidhen me terrorizmin. Kodi Penal i Kosovës ruan modelin e OKB-së në legjislacionin penal kundër terrorizmit dhe penalizon të gjitha format e terrorizmit, duke përfshirë ndihmën, lehtësimin, rekrutimin, trajnimin, dhe nxitjen për të kryer akte terrorizmi, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

Më 12 Mars, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin që ndalon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja. Ligji hyri në fuqi më 18 prill.

Sipas raportit, autoritetet kanë qenë pa përvojë në trajtimin e rasteve të terrorizmit, dhe komunikimi si dhe shkëmbimi i informacioneve mes agjencive të ndryshme mbeti një sfidë.

Vitin e kaluar, thuhet në raportin e DASH, prokurorët kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar punën në trajtimin e rasteve të lidhura me terrorizmin.

XS
SM
MD
LG