Lidhje

Boston Post: "Anthony's Pier 4" drejt mbylljes


Restoranti i njohur në të gjithë Amerikën u themelua nga Antoni Athanas dhe shërbeu si pikë e rëndësishme referimi për komunitetin shqiptar

Gazeta The Boston Globe njofton se restoranti i famshëm i Bostonit Anthony's Pier Four, do të mbyllet përgjithmonë në muajin gusht. Restoranti i njohur, pronë e familjes Athanas, u hap në vitet 60 nga shqiptari i mirënjohur Antoni Athanas, i cili vdiq në vitin 2005 në moshën 93 vjeçare.

Zoti Athanas erdhi nga Shqipëria në Amerikë në moshë fare të vogël dhe pasi hapi disa restorante në periferitë e Bostonit, bleu një truall buzë detit të cilin më vonë do ta shndërronte në atë që ai e quajti Anthony's Pier Four.

Restoranti u bë mjaft i njohur për menunë e pasur dhe verërat e zgjedhura dhe në vitin 1981, ai ishte njëri ndër 5 më të suksesshmit e Amerikës.

Xha Antoni, siç u bë më vonë i njohur pronari i tij, krijoi miqësi me disa ndër njerëzit më të shquar të Amerikës, të cilët vinin shpesh këtu për mjedisin që zoti Athanas u krijonte dhe natyrisht për ushqimin e mirë. Mes tyre kishte presidentë, aktorë dhe artistë me emër.

Komuniteti shqiptar do ta mbajë mend restorantin për takimet e rëndësishme që ka mbajtur këtu ndër vite, në sajë të bujarisë së pronarit Antoni Athanas.

Djemtë e zotit Athanas, që janë pronarët e tanishëm të restorantit, i thanë gazetës The Boston Globe se ata mund të hapin një restorant tjetër, një variant më të vogël të Pier Four-it, në njërën prej ndërtesave të reja që do të ngrihen këtu.
XS
SM
MD
LG