Lidhje

Anulimi i planeve kërcënon programin shëndetësor

  • Brian Padden

Problemet teknike kanë penguar zbatimin e Programit për Kujdes Shëndetësor të Presidentit Obama. Por përveç këtyre problemeve, ka ndërlikime të tjera në këtë sistem kompleks që ndërthur plane private për sigurimet shëndetësore me subvencionet qeveritare në ndihmë të programit. Një ndër problemet që është shfaqur së fundmi është se shumë amerikanë të shëndetshëm po përjashtohen nga plani i sigurimeve shëndetësore që kanë dhe mund të detyrohen të paguajnë më shumë për sigurime të reja:

Andrew Leonard është konsulent për teknologjinë informatike. Ky 26-vjeçar është në rrezik të përjashtohet nga plani i tij i sigurimeve shëndetësore, i cili nuk përmbush standardet në bazë të programit të Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor. Andrew thotë se një plan i ri do t’i kushtonte tri herë më shumë pasi tani duhet të paguajë për sigurime për vete dhe për fëmijët:

"Unë nuk kam fëmijë. Kur të bëhem me fëmijë mund ta ndërroj planin dhe të paguaj më vonë. Përse duhet ta ndërroj që tani?”

Më shumë se tre milionë amerikanë do të përjashtohen nga planet e sigurimeve pasi nuk përmbushin standardet në bazë të ligjit për sigurime shëndetësore. Duket se realiteti i ri bie ndesh me premtimin e Presidentit Obama se ata që duan të mbajnë planin që kanë, do ta kenë këtë të drejtë.

Dr. Kavita Patel, eksperte për reformën e kujdesit shëndetësor në Institutin Brookings thotë se në shumë raste ligji i ri detyron amerikanët të blejnë plane sigurimesh të njëjta si për burrat edhe për gratë, si për amerikanët me fëmijë ashtu edhe për ata pa fëmijë, për të bërë një shpërndarje të njëtrajtshme të kostos.

"Një grua nuk duhet të paguajë më shumë thjesht sepse është grua. Por kështu veprohej më parë. Tani po vihet në zbatim një politikë mbarë-kombëtare që nuk ndëshkon dikë thjesht sepse është grua; si rezultat planet e sigurimeve kanë të njëjtat kushte si për burrat edhe për gratë”.

Por ekspertja thotë se këto ndryshime nuk do të rrisin ndjeshëm koston e planeve për sigurime shëndetësore dhe se shumë të rinj do të jenë në gjendje të përfitojnë nga subvencionet qeveritare kur të regjistrohen në plane sigurimesh.

Kritikët e planit të Presidentit Obama, si Senatori republikan Lamar Alexander, thonë se ligji është tepër i ndërlikuar dhe i lë shumë dorë të lirë qeverisë në këtë sistem.

"Ky ligj e transformon sistemin e kujdesit shëndetësor në drejtimin e gabuar, duke rritur pagesat e klientit, duke anuluar planet ekzistuese të sigurimit shëndetësor, duke shkatërruar marrëdhëniet pacient-mjek dhe duke rritur taksat”.

Andrew Leonard thotë se nëse nuk gjen një plan tjetër me kosto më të përballueshme, ai mund të preferojë të mos ketë plan sigurimesh dhe të paguajë gjobën qeveritare:

"Nuk e kam studiuar me vëmendje, por nëse më del më lirë të mos kem plan sigurimesh, thjesht nuk do të shkoj për vizitë te mjeku pjesën më të madhe të vitit. Nëse më dalin probleme, do ta shtyj mjekimin deri kur vjen koha për t’u regjistruar vitin e ardhshëm”.

Dr. Patel thotë se problemet teknike dhe anulimet e planeve mund të kërcënojnë të gjithë sistemin, nëse dekurajojnë të rinjtë nga regjistrimi:

"Të gjitha këto zhvillime janë shqetësuese, pasi njerëzit mund të binden se është i paarritshëm premtimi për kujdes shëndetësor me kosto të përballueshme”.

Zonja Patel thotë se programi i Presidentit Obama do të stabilizojë gradualisht kostot nëse zgjidhen këto probleme dhe nëse më shumë amerikanë regjistrohen për plane sigurimesh.
XS
SM
MD
LG