Lidhje

Anxhelina Zholi për Zërin e Amerikës mbi filmin e saj të ri

  • Zëri Amerikës

Anxhelina Zholi për Zërin e Amerikës mbi filmin e saj të ri

Anxhelina Zholi për Zërin e Amerikës mbi filmin e saj të ri

Aktorja e njohur e Hollivudit, Anxhelina Zholi është prezantuar për herë të parë para publikut në rolin e skenaristes dhe regjisores me filmin e ri “In the Land of Blood and Honey” “Në Tokën e Gjakut dhe Mjaltit”. Filmi, që ka si subjekt zhvillime gjatë konfliktit të viteve 1990 në Bosnje, ka shkaktuar polemika të shumta për plagjiaturë dhe për temën delikate dhe ende të dhimbshme për shumë nga viktimat e luftës në Bosnje. Aktorja dha një intervistë ekskluzive për Shërbimin Boshnjak të Zërit të Amerikës.

Aktorja ka qenë prej vitesh Ambasadore e vullnetit të mirë për Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët. Në këtë rol, ajo ka qenë aktive në përpjekjet për të hedhur dritë mbi fatin e viktimave të harruara të konflikteve duke vizituar kampe refushatësh në vende si Tanzania e Namibia, e deri në Kamboxhia e Pakistan. Vuajtjet tronditëse njerëzore të vërejtura në këto kampe ishin edhe frymëzimi kryesor për këtë film, shpjegon autorja:

“Për vite me radhë kam vizituar vende të ndryshme në botë dhe jam takuar me njerëz në situata pas-konflikteve. Jam trishtuar nga mungesa e veprimit për t’i ndihmuar këta individë të shërojnë plagët dhe kam pyetur veten se çfarë mund të bëjmë për të parandaluar situata të tilla që në fillim”.

Këtë radhë, aktorja e prezanton tragjedinë e luftës përmes filmit të saj të ri, që shtjellon historinë e dy banorëve të Bosnjes, nga anët e kundërta të konfliktit, për të konkretizuar barrën emocionale, morale dhe fizike të luftës. Ishte revoltimi i thellë, trishtimi dhe irritimi nga ato që mësova për Bosnjen, që më shtynë të realizoj këtë film, shpejgon Zholi.

“Sa më shumë që mësoja, sa më shumë lexoha, aq më tepër revoltohesha nga mungesa e veprimit. Sa më shumë mësoja, aq më pak kuptoja se përse fqinji u ngrit kundër fqinjit, se si njerëz aq inteligjentë, aq të dhënë pas familjes, në këtë pjesë të mrekullueshme të botës ku pak vite më parë u zhvilluan Lojërat Olimpike, mund të precipitonin në një formë kaq të rëndë dhune. Dua që njerëzit të kujtojnë Bosnjen, të kujtojnë se çfarë ndodhi”.

Për aktoren, filmi ishte një vazhdimësi e punës së saj për ndërgjegjësimin e publikut mbi detyrimin moral të gjithkujt dhe secilit, për të ndikuar për të mbyllur plagët që lë pas lufta:

“Ne kemi një përgjegjësi si komunitet ndërkombëtar të mbështesim dhe t’i ndihmojmë në këtë fazë të re, në këtë tranzicion. Shpresoj që ky film të ndihmojë për të hapur një diskutim të tillë”.

Aktorja shpjegon se për t’u përgatitur për filmin kishte bërë kërkime të hollësishme, duke intervistuar njerëz nga segmente e grupe të ndryshme të shoqërisë në Bosnje. Por mbi të gjitha, ishte përpjekur të dëgjonte historitë e grave, që u viktimizuan gjatë këtij konflikti:

“U ndikova më së shumti nga viktimat e luftës, nga gratë me të cilat u takova dhe i pyeta për përvojën e tyre gjatë luftës. U ulëm dhe biseduam e qamë së bashku. Historitë e tyre më bënë kaq përshtypje dhe ashtu si i kujtonin, i vura në film”.

Filmi shkaktoi bujë dhe polemika ende pa u përfunduar. Në Bosnje u përhapën zëra se filmi kishte si subjekt historinë e një gruaje boshnjake që përdhunohet nga një serb i Bosnjes, dhe më pas bie në dashuri me përdhunuesin e saj. Shoqata e Grave të Viktimizuara nga Lufta në Bosnje protestoi kundër filmit, leja për xhirime u ndërpre për pak kohë, deri në sqarimin e plotë të çështjes. Aktorja shpjegon se është munduar të marrë sa më shumë mendimin e trupës realizuese boshnjake për t’u siguruar që filmi i saj nuk do të ishte ofendues apo një shtrembërim i ngjarjeve të dhimbshme të atyre viteve:

“Nuk do ta kisha realizuar këtë film nëse trupa boshnjake nuk do të ishte dakord me të. Nëse boshnjakët nuk do të ishin dakord me skenarin, do ta kisha djegur. Por pasi ishin dakord, ata më mësuan dhe më ndihmuan t’i jap formë filmit. Kur disa gjëra tingëllonin të pabesueshme, ata më siguronin se ishte vërtetë një histori aq e rëndë. Nuk është një film amerikan i bërë për Bosnjën, është një film i realizuar me një amerikane, dhe me boshnjakë në bashkëpunim”.

Aktorja rrëfen se përvoja e realizimit të filmit ishte shumë më tepër se thjesht roli i saj si regjisore e skenariste. Këtë radhë ajo është përpjekur të ndërthurë në këtë projekt profesionin e saj si aktore me misionin që i ka vënë vetes në jetë:

“Jam qytetare e botës. Dua të jem e vlefshme, të bëj gjëra të mira gjatë jetës sime, dua të jem pjesë e zgjidhjes. Jam shumë me fat që jam aktore, por ky film është më i rëndësishëm për mua se çdo film tjetër që kam realizuar”.

Është e vështirë pohon autorja, që një amerikan si ajo vetë të arrijë të kuptojë realitetin e tmerrshëm të luftës, por ajo shton me krenari se shumë nga amerikanët që e kanë parë filmin, janë ndjerë fajtorë për faktin e thjeshtë që nuk dinin më shumë për Bosnjen.

Ende pa u shfaqur për publikun e gjerë, filmi ka ndezur polemika të shumta për subjektin si dhe është pasur me një padi gjyqësore të ngritur nga një autor kroat që e akuzon autoren Anxhelina Zholi se e ka bazuar skenarin në romanin e tij. Por duket që autorja ka arritur me sukses të realizojë atë që kishte si synim që në fillim – të nxiste një debat publik mbi përgjegjësinë morale të secilit ndaj viktimave të luftës kudo qofshin, dhe të risjellë në mendjet e publikut viktimat e një konflikti tragjik dhe të përgjakshëm që kanë vuajtur prej vitesh nën hijen e harresës.

XS
SM
MD
LG