Lidhje

Apalashe - Pikëpamjet e votuesve jashtë kuvendit

  • Kane Farabaugh

Votuesit e kanë të vështirë të identifikohen me kandidatët presidencialë

Jashtë qytetit në rritje të Sharlotës, në Karolinën e Veriut – mikëpritësja e kuvendit kombëtar të demokratëve – vëzhgon një pjesë ndryshe e Amerikës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh sheh sesi njerëzit që jetojnë vetëm pak orë në perëndim të kuvendit, në një rajon të njohur si Apalashet, i shohin kuvendet politike dhe garën për president.

Qarku rural Roane në Tenesi shtrihet në ultësirën e Maleve Apalashe.

"Është me të vërtetë zemra e brezit biblik. Ka shumë kisha."

Megjithëse jo shumë larg nga kuvendi kombëtar demokrat në shtetin fqinj të Karolinës së Veriut, muzikanti në pension Gary Johnston thotë se hendeku në pikëpamjet mes atyre që jetojnë këtu dhe atyre që janë mbledhur për të emëruar presidentin Barack Obama për një mandat të dytë është i madh.

"Besoj se ky vend do të përfundojë keq, në se presidenti zgjidhet për katër vite të tjera."

Johnston nuk është i kënaqur me legjislacionin për kujdesin shëndetësor të presidentit Obama, që kërkon që më shumë amerikanë të blejnë siguracion shëndetësor, në se jo, do të përballen me gjoba. Ai është i shqetësuar gjithashtu për programin e stimulimit të ekonomisë të vendosur gjatë mandatit të presidentit. Ai është aq apasionant në kundërshtimin e tij ndaj presidentit Obama, saqë iu bashkua aktivistëve të tjerë konservatorë për të blerë pankarta, ku thuhet:
"Obama ose Amerika – Nuk mund t’i kesh të dyja."

"Do të thotë se ose do kesh Amerikën siç e njohim ne, ose mund të zgjedhësh të mbash këtë president dhe Amerika do të ndryshojë përgjithmonë."


“Me thënë të drejtën disa nga tekstet e këtyre pankartave mund të quhen tradhëti.”

Mësuesja Gloria Johnson, demokrate, e sheh buletinin gjatë rrugës së saj për në qytetin e Noksvillit, ku ajo përballet me një betejë në garën e saj për një vend në kongresin e kontrolluar nga republikanët në Tenesi.

“Është e vështirë që jesh luftarak ndonjëherë.”

Në këtë pjesë të vendit ku votuesit kanë zgjedhur kohët e fundit më shumë republikanë në poste drejtuese, Johnson shpreson të marrë një shtytje nga demokratët e rinj në Noksvill, si nga studentët në Universitetin e Tenesisë. Por ajo e di se për të fituar në nëntor, ajo duhet të fitojë disa vota të republikanëve.

“Shumica e familjes sime janë republikanë dhe nuk mendoj se ata e shohin Mitt Romnin si dikë që mund t’i përfaqësojë. Shumë banorë të Tenesisë nuk e ndjejnë se Mitt Romney i përfaqëson ata.”

Gary Johnston thotë se shumë njerëz në mbarë komunitetet me të ardhura të pakta në Tenesinë Lindore nuk identifikohen me kandidatin republikan për president, pasi Mitt Romney është i pasur dhe nuk e di ç’do të thotë të jesh i papunë.

“Do të votoja me rezerva për të, megjithëse mendoj se është njeri i mirë.

Johnston thotë se atij ka filluar t’i ngrohet zemra si për Mitt Romney-n edhe Paul Ryan, pasi ndoqi mbulimet televizive të kuvendit të republikanëve në Tampa që ai thotë se “humanizoi” dyshen republikane.

Gloria Johnson shpreson se e njëjta gjë do të ndodhë për presidentin Obama në Sharlot, ku si delegate nga Tenesia, ajo ka në plan t’i japi votën e saj për një mandat të dytë të presidentit.
XS
SM
MD
LG