Lidhje

21 janari, Apeli 4 vjet burg dy gardistëve


Ish komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe drejtuesi i njësisë speciale, Agim Llupo akuzohen për “vrasje nga pakujdesia”. Prokuroria kishte kërkuar 23 dhe 25 vjet burgim

Në Shqipëri Gjykata e Apelit shpalli sot fajtor ish komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe oficerin Agim Llupo për vrasjet e 21 janarit të vitit 2011, duke i dënuar ata respektivisht me 1 dhe 3 vjet burg. Që të dy u akuzuan për vrasje nga pakujdesia. Prokuroria kishte ngritur ndaj tyre akuzën vrasjes me dashje dhe kishte kërkuar 23 vjet burgim për Prendin dhe 25 vite për oficerin Llupo

Ndërsa gjykata e Tiranës në shkurt të këtij viti i kishte shpallur të pafajshëm, ish komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe ish drejtuesi i njësisë speciale Agim Llupo, u shpallën fajtorë nga Gjykata e Apelit. Prendi është akuzuar nga prokuroria për vrasjen e Faik Myrtajt, një nga pjesmarrësit në protestën e 21 janarit, ndërsa oficeri i gardës Llupo ishte konsideruar përgjegjës për vrasjen e dy manifestuesve të tjerë Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Por ndërsa Prokuroria, ashtu si dhe në Gjykatën e Tiranës, i akuzoi ata për vrasje me dashje duke kërkuar respektivisht 23 dhe 25 vite burgim, gjykata e Apelit ka vlerësuar se sipas saj vrasjet kanë qenë nga pakujdesia. Vendimi i plotë i motivuar i Gjykatës pritet të zbardhet në ditët e ardhshme, dhe për momentin mbetet ende e paqartë se si trupi gjykues ka arritur në vlerësimin e vrasjes nga pakujdesia.



Procesi i 21 Janarit ka qenë në qendër të vëmendjes publike. Vendimi i shkurtit i gjykatës së Tiranës shkaktoi reagime të forta, duke qenë se ndonëse pranohej se të dy të akuzuarit ishin autor të vrasjes së tre prej katër protestuesve që mbetën të vrarë atë ditë, ata u shpallën të pafajshëm për shkak se sipas saj “nuk kishte prova që të vërtetonin vrasjen me dashje”. Në atë kohë ambasada amerikane, e cila ofroi ekespertizën e FBI, u shpreh se më këtë vendim ishte “minuar besimi në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”.

Pas seances se sotme, avokati Genc Gjokutaj që mbron komandantin e Gardës tha se vendimi do të ankimohej në gjykatën e lartë: “Vendimi i Gjykatës ndryshoi atë të shkallës së Parë, në vrasje nga pakujdesia. Ky vendim ëhstë i pabazuar në ligj dhe në provat e administrauara, por edhe në kundërshtim me praktikat e gjykatës së Strasburgut dhe atyre të gjykatave perëndimore në raste analoge. Ne do të ndjekim hapat e ankimit. Do të jetë gjykata e Lartë që do të thotë fjalën përfundimtare”

Ndërkohë pritet nëse të njejtën gjë do të bëjë edhe prokuroria. Megjithatë asnjëri prej të akuzuarve, nuk pritet të përfundojë në burg, duke qenë se vitet e dënimit konsiderohen të shlyera nga dënimet e mëparshme që ata kishin marrë, Prendi me arrest shtëpiak dhe Llupo në burg ku ka kaluar afër mbi dy vjet.
XS
SM
MD
LG