Lidhje

40 vjetori i aksidentit me anijen e hapësirës Apollo 13


Xhim Lovell, astronaut i Apollo 13
Xhim Lovell, astronaut i Apollo 13

Në prill 1970, anija e hapësirës Apollo 13 do të ulej në hënë në mënyrë që astronautët e Nasës, Xhim Lovell, Xhek Suajgërt dhe Fred Heiz të eksploronin sipërfaqen e saj. Por një shpërthim në anije gjatë udhëtimit e bëri të pamundur misionin e tyre. Tmerri i tyre që zgjati një javë u ndoq nga e gjithë bota. Tani, Nasa dhe Adler Planetarium në Çikago shënojnë 40-vjetorin e një ngjarjeje që shumë njerëz e quajnë një dështim të suksesshëm.

Në prill 1970, njeriu kishte qenë në Hënë dhe interesi i publikut për programet e hapësirës kishte filluar të binte. Misioni i Apollo 13 do të ishte ulja e tretë në Hënë. Megjithatë, shumë media e injoruan atë fillimisht.

“Entuziazmi për fluturimet në hënë ka rënë shumë,” tha në atë kohë Xhim Lovell i cili u vu në krye të misionit të Apollo 13, së bashku me astronautët Fred Hejz dhe Xhek Suajgërt. Ai priste të realizonte ëndrrën e tij për t’u ulur në Hënë.

Por ëndrra u shua dy ditë pas fillimit të misionit. Një shpërthim dëmtoi anijen pak pasi ekuipazhi përfundoi një transmetin të drejtpërdrejtë televiziv.

“Pas atij shpërthimi askush nuk e dinte çfarë do të ndodhte. A mund të ktheheshim?”

Ndërkohë që e gjithë bota shikonte se ç’po ndodh, kontrollorët e fluturimeve të Nasës dhe astronautët punonin pa pushim për të gjetur një mënyrë që ta kthenin ekuipazhin në Tokë.

Për pesë ditë me radhë, një krizë pas një tjetre, ekuipazhi i Apollo 13 dhe specialistët e misionit në tokë punuan për të zgjidhur problemin.

Astronautët mbijetuan duke racionuar ushqimin dhe ujin ndërkohë që përdornin pjesën e anijes që do të ulej në hënë si strehim para se të përgatiteshin për t’u kthyer në tokë.

Përpjekjet e tyre përfunduan më rënien në Oqeanin Paqësor. Të tre astronautët arritën të shpëtonin dhe Apollo 13 filloi të njihej si një dështim me sukses.

“Ishte dështim për sa i përket misionit fillestar, po sukses sepse ne u përballëm me një problem të papritur për të cilin nuk ishim të përgatitur, megjithatë arritëm t’ia dilnim mbanë.”

Ngjarja u pasqyrua në filmin e vitit 1995 “Apollo 13”. Tom Henks luan rolin e astronautit Xhim Lovell.

Lovell nuk u kthye asnjëherë në Hënë dhe nuk arriti të ulej atje, megjithatë filmi e bëri atë të famshëm.

“Mendoj se filmi riktheu vëmendjen e të rinjve amerikanë tek programi i hapësirës.”

Për 40-vjetorin e Apollo 13-ës do të zhvillohen ceremoni në Adler Planetarium në Çikago pranë vendit ku banon Lovell si dhe në Qendrën e Hapësirës Kenedi në Florida. Xhim Lovell do të marrë pjesë në ceremoni së bashku me astronautin Fred Heiz. Ndërsa Xhek Suajgërt vdiq në vitin 1982.

“Unë e shoh 40-vjetorin e Apollo 13-s si përvjetorin e fundit të tij dhe të fluturimeve të Apollos. Mendoj se tani duhet të ecim përpara.”

Por programi i anijeve shuttle të Nasës do të përfundojë në shtator, gjë me të cilën Lovell nuk është dakort meqë ai thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje ta mbështesin Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Lovell thotë se Nasa tani nuk ka plane për programin e hapësirës. Ai mbështet projektet për të dërguar njerëz në Mars.

Por ai dëshiron që astronautët amerikanë të kthehen edhe në vendin ku ai nuk arriti të shkonte, në sipërfaqen e hënës.

XS
SM
MD
LG